Një kompani austriake guidash malore po planifikon të ngjisë klientët në majën e Everestit brenda vetëm një jave, falë përdorimit të gazit ksenon – një metodë që ka ngjallur shqetësime te mjekët dhe komuniteti alpin, sipas BBC News, transmeton KosovaPress.
Historikisht, ngjitja në Everest ka kërkuar rreth dy muaj për shkak të nevojës për aklimatizim në lartësi të mëdha. Por Lukas Furtenbach, një alpinist dhe udhëheqës ekspeditash nga Austria, beson se ksenoni mund të përshpejtojë këtë proces. Ksenoni stimulohet të rrisë nivelin e EPO-s (eritropoietinës), një proteinë që ndihmon në rritjen e qelizave të kuqe të gjakut dhe përmirëson transportin e oksigjenit.
Furtenbach pretendon se ka testuar me sukses ksenonin në ekspedita të mëparshme. Por ekspertët thonë se provat shkencore janë të pakta dhe nuk ka dëshmi bindëse se ksenoni përmirëson ndjeshëm performancën në lartësi. Për më tepër, përdorimi i tij është ndaluar nga Agjencia Botërore Anti-Doping (WADA), pasi konsiderohet se stimulon në mënyrë artificiale performancën.
Federata Ndërkombëtare e Alpinizmit (UIAA) ka paralajmëruar për mungesën e kërkimeve klinike mbi sigurinë e përdorimit të ksenonit në lartësi ekstreme. Disa alpinistë e quajnë të papranueshme përdorimin e substancave të ndaluara në sport në ngjitjet malore.
Furtenbach ka planifikuar që katër klientë britanikë të ngjisin Everestin në maj të vitit 2025, duke nisur nga Londra drejt Katmandusë, me helikopter për në kampin bazë dhe më pas drejt majës – të gjitha brenda një jave dhe me një kosto prej rreth 150 mijë eurosh.
Ekspertët e mjekësisë së lartësive theksojnë se, edhe me aklimatizim të mirë, qëndrimi i zgjatur në "Zonën e Vdekjes" mbi 8,000 metra është jashtëzakonisht i rrezikshëm. Shumica e alpinistëve përdorin oksigjen shtesë për të mbijetuar, ndërsa vetëm një numër shumë i vogël e ka ngjitur Everestin pa të.
Ndërsa përdorimi i barnave si acetazolamidi dhe deksametazoni është i njohur për të parandaluar sëmundjet e lartësisë, ekspertët janë të kujdesshëm ndaj përdorimit të metodave të reja pa prova të qarta shkencore.
Sipas vetë Furtenbach dhe mjekut gjerman Michael Fries, testet paraprake me ksenon kanë treguar rritje të ndjeshme të qelizave të kuqe dhe përmirësim të performancës. Por komuniteti shkencor mbetet skeptik dhe kërkon më shumë të dhëna të publikuara dhe të verifikuara.