Një gjykatë argjentinase në periferi të Buenos Aires anuloi sot seancën gjyqësore për të vendosur mbi fajësinë e ekipit mjekësor që u kujdes për Diego Maradona.
Seanca gjyqësore u anulua pasi një nga tre gjyqtarët në çështje dha dorëheqje, duke përmendur presionin nga pjesëmarrja në një dokumentar rreth çështjes, raporton KosovaPress.
Gjykata mund të zgjidhte një gjyqtar të ri ose të anulonte rrjedhën aktuale të gjyqit, dhe zgjodhi këtë të fundit.
Midis 7 të pandehurve janë neurokirurgu asokohe i Maradonës, Leopoldo Luque, psikiatrja Agustina Cosachov, psikologu Carlos Angel Diaz, mjekja Nancy Edith Forlini, mjeku klinik Pablo Di Spagna dhe infermierë që po gjykohen për vrasje të paqëllimshme dhe nëse shpallen fajtorë, mund të dënohen nga 8-25 vjet burg.
E pandehura e tetë, infermierja Dahiana Madrid, është planifikuar të gjykohet veçmas në korrik 2025.
Maradona vdiq në nëntor 2020 në shtëpinë e tij nga një atak në zemër. Ai vdiq në moshën 60- vjeçare, ndërsa po shërohej nga një operacion për të hequr një mpiksje gjaku.