Industria e çelikut në Evropë rrezikon të zhduket përballë tarifave ndëshkuese prej 50% të vendosura nga presidenti amerikan, Donald Trump, kostove të larta të energjisë dhe një fluksi të madh të çelikut më të lirë nga Kina. Paralajmërimi vjen nga një prej grupeve më të mëdha industriale në Gjermani, ThyssenKrupp.
Ilse Henne, anëtare e bordit drejtues të kompanisë, tha se vendimi i Trump për të dyfishuar tarifat mbi importet e çelikut dhe aluminit nga 25% në 50% ka shkaktuar një tronditje të madhe në zinxhirët e furnizimit.
“Çeliku është në fillim të zinxhirit të vlerës dhe kur kostoja e tij rritet kaq ndjeshëm, preken të gjitha hallkat e tjera të industrisë”, deklaroi ajo gjatë një konference të organizuar nga Qendra për Politika Evropiane në Bruksel.
Sipas saj, një dobësim i industrisë evropiane të çelikut nuk është thjesht një çështje ekonomike, por përbën edhe një rrezik për sigurinë ushtarake dhe pavarësinë industriale të kontinentit.
“Nëse industria evropiane e çelikut zhduket, dëmet do të jenë të shumta. Një industri europiane çeliku e dobët nuk është vetëm një industri europiane çeliku e dobët. I vendos edhe hapat e tjerë në industri dhe vlerën e zinxhirit të prodhimit në rrezik”, tha Henne, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet evropiane.
Ndërkohë, importet kineze të çelikut janë rritur me 36% vetëm në tremujorin e parë të vitit 2025, sipas të dhënave të Eurostat, duke rritur presionin ndaj prodhuesve evropianë. Përveç çelikut kinez, edhe çeliku rus vazhdon të qarkullojë në tregjet evropiane me një sasi prej 3 deri në 4 milionë tonë në vit, një shifër që i afrohet eksporteve të Bashkimit Evropian drejt SHBA-së.
Nga ana tjetër, tarifat e reja të SHBA-së nuk do të zbatohen për Mbretërinë e Bashkuar deri më 9 korrik, ndërsa vendi po përpiqet të finalizojë një marrëveshje bilaterale që do t’i ulë tarifat në zero. Megjithatë, kompania Tata Steel, “lojtari” më i madh në sektorin britanik, përballet me sfida pasi ka filluar të importojë produkte gjysmë të përpunuara nga India dhe Evropa, gjë që mund të përbëjë shkelje të rregullave amerikane që kërkojnë që çeliku të jetë krijuar në vendin e origjinës.
Ndërkohë, ekzistojnë edhe shqetësime për kompaninë British Steel, që kontrollohet nga grupi kinez Jingye. Qeveria britanike ka ndërhyrë përmes legjislacionit emergjent duke marrë kontrollin e fabrikës në Scunthorpe, por përballet me një përplasje ligjore për më shumë se 1 miliard paund kompensim që Jingye kërkon për të hequr dorë nga investimi.
Henne paralajmëroi se strategjia e tarifave të Trump mund të rezultojë kundërproduktive. “Menjëherë pas rritjes së tarifave, prodhuesit amerikanë rritën çmimet, duke bërë që kostot e prodhimit të rriten ndjeshëm. Kjo është një goditje për vetë industrinë e rëndë amerikane”, u shpreh ajo.
Shoqata e çelikut në BE, Eurofer, në raportin e saj të fundit e përshkroi situatën si një “goditje të rëndë” për pritshmëritë e rimëkëmbjes dhe i bëri thirrje BE-së të ndërmarrë masa emergjente për të shpëtuar sektorin.
Sipas Henne, përveç uljes së tarifave, një prioritet tjetër urgjent është sigurimi i energjisë me çmime konkurruese dhe përshpejtimi i kalimit drejt përdorimit të hidrogjenit si alternativë ndaj lëndëve djegëse tradicionale.