Një tualet prej ari, që u shit për 12.1 milionë dollarë në ankand, u ble nga Ripley’s Believe It or Not!, pas vjedhjes së versionit të parë nga Pallati Blenheim më 2019.
Tualeti, me emrin America, i krijuar nga artisti italian Maurizio Cattelan, është funksional dhe peshon 101 kg ari 18 karatësh. Versioni i parë u ekspozua në tualetin publik të Muzeut Guggenheim në Nju-Jork në vitin 2016 dhe përdoruesit ishin mbi 100 mijë persona, para se të transferohej në Pallatin Blenheim. Aty, më 14 shtator 2019, pesë meshkuj e vodhën instalacionin, duke u larguar me një Volkswagen Golf të vjedhur.
Sotheby’s zbuloi se Cattelan kishte krijuar tre tualete, dhe versioni i dytë u nxor në ankand në Nju-Jork. Çmimi u vendos sipas vlerës së arit, rreth 10 milionë dollarë, por tualeti u shit 12.1 milionë dollarë. Ripley’s më pas konfirmoi blerjen përmes Instagramit, duke thënë se janë “të mbushur me emocion”, transmeton KosovaPress.
Sipas BBC, kompania planifikon të shqyrtojë mundësinë që vizitorët të përdorin tualetin, duke shtuar se kjo kërkon organizim të madh dhe dikë të guximshëm që gjithçka të funksionojë si duhet.
Ky çmim është i dyti më i lartë për një vepër të Cattelan në ankand; skulptura e tij e Hitlerit qëlluar në gjunjë ishte shitur për 17.2 milionë dollarë në 2016.
Sotheby’s e përshkroi tualetin si një “fenomen kulturor” dhe një “koment incisiv mbi bashkimin e artit dhe vlerës komerciale”. David Galperin, kreu i artit bashkëkohor në Sotheby’s Nju-Jork, e quajti “Tour de force” të Cattelan, që sfidon besimet dhe institucionet e artit.
Në të njëjtën mbrëmje, një portret i artistit austriak Gustav Klimt u shit për 236.4 milionë dollarë, duke u bërë vepra e dytë më e shtrenjtë e shitur ndonjëherë në ankand.