“Ishte një akt i mahnitshëm ushtarak”, Trump flet për detajet e arrestimit të Maduros

Bota

“Ishte një akt i mahnitshëm ushtarak”, Trump flet për detajet e arrestimit të Maduros

Nga: Bota sot Më: 3 janar 2026 Në ora: 10:50 Përditësuar në ora: 20:14 më 03.01.2026
Donald Trump

Çfarë do ndodhë me Venezuelën pas arrestimit të Maduros, a do e marrë stafetën opozita venezueliane? Ja 3 skenarët e mundshëm

E ardhmja e Venezuelës pas arrestimit të Maduros dhe trazirave të sotme mbetet e paqartë, e ndërsa qytetarët presin udhëheqësin e tyre të radhës, Kushtetuta e vendit përcakton që pushteti i kalon zëvendëspresidentes, Delcy Rodriguez.

Rodriguez tha se qeveria nuk e di vendndodhjen e presidentit ose zonjës së tij të parë, Cilia Flores, dhe kërkoi prova “se ai është gjallë”.

Megjithatë, e ardhmja e regjimit tani është në pikëpyetje, dhe opozita si brenda ashtu edhe jashtë vendit ka të ngjarë ta shohë këtë si një mundësi vendimtare.

Opozita venezueliane, e udhëhequr nga fituesja e çmimit Nobel María Machado, pohon se presidenti legjitim është politikani në mërgim Edmundo González.

Në këtë klimë pasigurie, po shfaqen disa skenarë të mundshëm:

Rruga kushtetuese: Neni 233-Në atë që Kushtetuta e përcakton si “mungesë absolute” e presidentit, zëvendëspresidentja ekzekutive mDelcy Rodríguez merr përkohësisht pushtetin dhe thërret zgjedhjet brenda 30 ditëve. Presidenti i sapozgjedhur shërben një mandat të plotë gjashtëvjeçar.

Rënia e regjimit: Figura të larta japin dorëheqjen ose ikin. Kandidati më i mundshëm i opozitës është Edmundo González Urrutia, i cili kandidoi në zgjedhjet e vitit 2024. González, një akademik dhe diplomat karriere, aktualisht është në mërgim në Spanjë. Ai mbështetet nga aktivistja e demokracisë, Maria Corina Machado, e cila është vlerësuar së fundmi me Çmimin Nobel për Paqen.

Duke folur në Oslo muajin e kaluar pasi mori çmimin, Machado tha se lëvizja e saj po përgatitej për “një tranzicion të qetë dhe paqësor” sapo Maduro të largohej. Në dhjetor, ajo tha se González i kishte ofruar asaj pozicionin e nënkryetares dhe se “shumica dërrmuese” e policisë dhe forcave të armatosura do të ndiqnin urdhrat e qeverisë së re sapo të fillonte tranzicioni politik.

Marrja e pushtetit nga ushtria: Ministri aktual i Mbrojtjes, Vladimir Padrino Lopez, foli pas sulmeve amerikane të shtunën në mëngjes, duke deklaruar se Venezuela do t’i rezistonte pranisë së trupave të huaja në vend. “Ky pushtim përbën fyerjen më të madhe që vendi ka pësuar ndonjëherë”, shtoi ai.

Shtëpia e Bardhë publikon fotot, Trump dhe ekipi i tij ndjekin live operacionin për kapjen e Maduros

Shtëpia e Bardhë ka publikuar foto nga momentet kur presidenti Donald Trump dhe ekipi i tij ndjekin live operacionin për kapjen e presidentit të Venezuelës Nicolas Maduro.

Disa nga imazhet janë shpërndarë në platformën e tij Truth Social nga presidenti Trump, ku shfaqet ai dhe zyrtarë të tjerë amerikanë duke parë sulmet e mbrëmshme ndaj Venezuelës dhe kapjen e Presidentit Maduro dhe gruas së tij.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kryen sot sulme ajrore në Venezuelë dhe Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se forcat speciale amerikane arrestuan Presidentin e Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe gruan e tij, Cilia Flores, dhe i nxorën jashtë vendit.

Image
 

Forcat amerikane kryen një sulm në shkallë të gjerë, dhe njësia speciale elitare e ushtrisë amerikane, Delta Force, mori pjesë në operacionin për arrestimin e Maduros.

Trump: SHBA do ta “drejtojë” Venezuelën deri në tranzicion

Presidenti Trump thotë se SHBA-të do ta "drejtojnë" Venezuelën "deri në kohën kur të mund të bëjmë një tranzicion të sigurt, të duhur dhe të mençur".

Kompanitë amerikane të naftës do të riparojnë "infrastrukturën e prishur" të Venezuelës dhe "do të fillojnë të fitojnë para për vendin", shton ai.

Ai thotë se asnjë ushtar amerikan nuk u vra në operacion dhe SHBA-të janë "gati" të organizojnë një sulm të dytë "dhe shumë më të madh" ndaj vendit nëse është e nevojshme, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

Trump, një kritik i ashpër i pushtimit amerikan të Irakut, tani duket se është në biznesin e ndërtimit të kombit, shkruan korrespondenti ynë i Amerikës së Veriut Anthony Zurcher.

Trump më parë ndau një foto që ai tha se ishte e Maduros në bordin e USS Iwo Jima. Imazhi e tregon atë me sy të lidhur dhe me mbrojtëse veshësh.

Maduro është paditur në New York për akuza për drogë dhe armë - prokurori i përgjithshëm i SHBA-së thotë se ai do të "përballet me të gjithë zemërimin e drejtësisë amerikane". Maduro më parë ka mohuar të jetë udhëheqësi i kartelit të drogës.

Shtetet e Bashkuara të shtunën kanë kryer sulme ajrore në Venezuelë, duke rezultuar më pas në arrestimin e presidentit të saj, Nicolas Maduro.

Shumë shtete kanë reaguar pas sulmeve e kapjes së Maduros.

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, është arrestuar dhe nxjerrë nga Venezuela në një aksion në shkallë të gjerë të kryer nga forcat amerikane në kryeqytetin Karakas, siç ka bërë të ditur presidenti amerikan, Donald Trump. Bashkë me Maduron është kapur edhe gruaja e tij.

Trump: SHBA-të të përgatitura për një sulm të dytë ndaj Venezuelës

Nga: A.Sh

Presidenti amerikan Donald Trump ka ndarë më shumë detaje mbi operacionin ushtarak të mbrëmshëm në Venezuelë, duke e përshkruar atë si “errësirë dhe vdekjeprurëse”.

Ai zbuloi se “dritat e Karakasit u fikën kryesisht për shkak të një ekspertize të veçantë që kemi përdorur” gjatë sulmit. Trump theksoi se asnjë ushtar amerikan nuk u plagos dhe asnjë pajisje nuk u humb gjatë operacionit.

“Nëse do ta kishit parë atë që pashë unë mbrëmë, do të kishit mbetur shumë të impresionuar. Nuk jam i sigurt nëse do ta shihni ndonjëherë, por ishte një gjë e pabesueshme për t’u parë,” tha ai.

Trump shtoi se forcat venezueliane “na prisnin” dhe ndodheshin në një “pozicion gatishmërie”, por u paaftësuan shumë shpejt.

Ai gjithashtu paralajmëroi se SHBA-të janë “gati të organizojnë një sulm të dytë, shumë më të madh, nëse do të jetë e nevojshme”. Sipas tij, sulmi i parë ishte aq i suksesshëm sa mund të mos ketë nevojë për një të dytë, por megjithatë forcat amerikane janë të përgatitura për çdo situatë.

Trump: SHBA-të do ta “drejtojnë” Venezuelën deri në një tranzicion të sigurt

Nga: A.Sh

Ish-presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të marrin drejtimin e Venezuelës përkohësisht, deri në realizimin e një “tranzicioni të sigurt, të duhur dhe të mençur”.

Duke folur për mediat, Trump tha se Uashingtoni nuk synon të vendosë menjëherë një udhëheqje të re në vend.

“Ne do ta drejtojmë vendin deri në kohën kur të mund të bëjmë një tranzicion të sigurt, të duhur dhe të mençur,” u shpreh ai.

Sipas tij, SHBA-të nuk dëshirojnë të përfshihen në procesin e ardhjes në pushtet të një aktori tjetër politik në këtë fazë. “Nuk duam të përfshihemi në faktin që dikush tjetër të hyjë në pushtet. Kemi të njëjtën situatë që kemi pasur për një periudhë të gjatë vitet e fundit,” shtoi Trump.

Deklaratat e tij vijnë në një moment tensioni të lartë ndërkombëtar dhe pritet të ngjallin reagime të forta si brenda Venezuelës, ashtu edhe nga komuniteti ndërkombëtar.

Trump: Sulmi në Venezuelë, i paparë që nga Lufta e Dytë Botërore

Nga: A.Sh

Ish-presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se sulmi i fundit ndaj Venezuelës ishte “i paparë që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Duke folur për mediat nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago, Trump tha se operacioni ushtarak u krye me urdhrin e tij dhe përfshiu të gjitha degët e forcave të armatosura amerikane.

“Mbrëmë vonë dhe sot herët, sipas udhëzimeve të mia, Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara kryen një operacion të jashtëzakonshëm ushtarak në kryeqytetin e Venezuelës,” u shpreh ai.

Sipas Trump, në sulm u përdorën njëkohësisht ajri, toka dhe deti. “Ishte një sulm spektakolar, një operacion që njerëzit nuk e kanë parë që nga Lufta e Dytë Botërore,” theksoi ai.

Deklaratat e tij pritet të nxisin reagime të shumta në arenën ndërkombëtare, ndërsa ende nuk ka detaje zyrtare nga autoritetet venezueliane mbi pasojat e sulmit.

Me pranga në duar, syze të errëta dhe i veshur sportiv, publikohen pamjet nga arrestimi i Maduros

Presidenti Trump ka publikuar për herë të parë një fotografi nga momenti i arrestimit të Nicolás Maduro-s, liderit tashmë të rrëzuar të Venezuelës.

Në imazh, ai shihet me duart e lidhura me pranga, me një shishe uji në dorë, syze të zeza bllokuese dhe kufje që izolojnë zërin, një teknikë standarde për të neutralizuar perceptimin e të ndaluarit gjatë transportit.

Maduro ndodhet një ambient të mbyllur të një luftanijeje amerikane, e cila sipas autoriteteve në Washington, është në rrugë drejt Nju Jorkut. Atje, ai pritet të përballet me akuza zyrtare të ngritura më parë nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë për narco-terrorizëm, trafik ndërkombëtar droge dhe korrupsion të nivelit të lartë.

Image
Nicolás Maduro

Fotografia, e cila duket se është bërë pak pas arrestimit, përfaqëson një moment historik dhe simbolik për Amerikën Latine: fundin e një epoke të gjatë autoritarizmi chavist dhe fillimin e një tranzicioni të ri, ende të paqartë.

Pamja e Maduro-s, i izoluar dhe i pajisur me kufje dhe syze bllokuese, tregon nivelin e lartë të sigurisë dhe kontrollit që po zbatohet gjatë këtij operacioni. Për opozitën dhe diasporën venezuelane, imazhi përfaqëson një çlirim të shumëpritur; për mbështetësit e mbetur të regjimit, është një goditje e fortë morale dhe politike.

Në SHBA, presidenti Trump ka deklaruar se "po merren vendime për të ardhmen e udhëheqjes së Venezuelës", ndërkohë që emri i Maria Corina Machado përmendet gjithnjë e më shumë si figurë tranzicioni. Ndërkohë, asnjë informacion nuk është dhënë për vendndodhjen e bashkëshortes së Maduro-s, Cilia Flores.

Nga djali te bashkëshortja dhe disa ministra; kush janë njerëzit e Maduros që akuzohen për trafikun e drogës

Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka publikuar dosjen me akuzat për presidentin e Venezuelës, Nicolás Maduro i cili u arrestua ditën e sotme së bashku me gruan e tij.

Sipas aktakuzës federale amerikane të ngritur nga Gjykata e SHBA-së për Distriktin Jugor të Nju Jorkut, këta janë të pandehurit kryesorë të dosjes për trafikun e drogës.

Nicolás Maduro Moros është ish-president i Venezuelës dhe sundimtar de facto i vendit. Ai akuzohet se për dekada ka drejtuar një rrjet shtetëror narkoterrorizmi, duke përdorur institucionet shtetërore, përfshirë ushtrinë, policinë dhe diplomacinë, për trafik masiv kokaine, pastrim parash dhe bashkëpunim me grupe terroriste. Sipas aktakuzës, ndaj tij rëndojnë akuza për narkoterrorizëm, import kokaine dhe përdorim të armëve të rënda në funksion të krimit.

Diosdado Cabello Rondón është ministër i Brendshëm, Drejtësisë dhe Paqes dhe konsiderohet një nga figurat kyçe të regjimit. Ai akuzohet për mbrojtje politike dhe ushtarake të trafikut të drogës dhe dyshohet se ka koordinuar rrugë ajrore dhe tokësore të kokainës, duke përfituar ryshfete në vlera miliona dollarëshe. Aktakuza e lidh atë drejtpërdrejt me organizata si FARC, ELN dhe kartele meksikane.

Ramón Rodríguez Chacín është ish-ministër i Brendshëm dhe ish-guvernator. Ai akuzohet për strehimin dhe mbrojtjen e kampeve të FARC në territorin venezuelian dhe dyshohet për ndërmjetësim në trafik shumë-tonësh kokaine, si edhe për sigurimin e mbrojtjes nga arrestimi dhe ekstradimi për persona të përfshirë në këto aktivitete.

Cilia Adela Flores de Maduro, bashkëshortja e Maduro-s dhe ish-presidente e Asamblesë Kombëtare, akuzohet për marrje ryshfetesh, ndërmjetësim me trafikantë droge dhe përfshirje direkte në operacione të lidhura me trafikun. Sipas prokurorisë amerikane, ajo ka përfituar financiarisht dhe ka ndihmuar në mbulimin e aktiviteteve kriminale të rrjetit.

Nicolás Ernesto Maduro Guerra, djali i Maduro-s i njohur si “Nicolasito”, akuzohet për rol aktiv në koordinimin e dërgesave të kokainës, përdorimin e avionëve shtetërorë dhe mbajtjen e kontakteve me kartele droge. Ai dyshohet për përfshirje direkte në trafikun e kokainës drejt Shteteve të Bashkuara.

Héctor Rusthenford Guerrero Flores, i njohur si “Niño Guerrero”, është drejtues i organizatës kriminale Tren de Aragua. Ai akuzohet për trafik droge dhe armësh, rrëmbime, vrasje dhe krime të tjera të dhunshme, ndërsa dyshohet se ka ofruar mbrojtje të armatosur për ngarkesa kokaine dhe ka ushtruar kontroll territorial në funksion të trafikut.

Trump: Po marrim vendime tani për udhëheqjen venezueliane

Nga: A.Sh

Donald Trump thotë se tani po marrin vendime për atë që do të ndodhë më pas me udhëheqjen venezueliane.

Ai ka paralajmëruar se çdo besnik i Nicolas Maduros do të ketë një "të ardhme të keqe" nëse mbetet besnik, duke shtuar se do të shqyrtojnë udhëheqësen e opozitës Maria Corina Machado.

Ndërkohë, Maduro dhe gruaja e tij po dërgohen në New York, tha ai - ku janë akuzuar për akuza që përfshijnë narko-terrorizëm.

SHBA-të gjithashtu do të jenë "të përfshira fuqimisht" në industrinë e naftës së vendit, tha ai.

Ai gjithashtu i tha Fox News se kishte disa lëndime në forcat amerikane, por jo vdekje.

U nxorën zvarrë nga dhoma e gjumit, detaje të reja nga arrestimi i presidentit të Venezuelës dhe gruas së tij

Presidenti venezuelian Nicolas Maduro dhe gruaja e tij Cilia Flores u nxorën zvarrë nga dhoma e tyre e gjumit nga forcat amerikane gjatë bastisjes që çoi në kapjen e tyre, thanë dy burime të njohura me çështjen.

Çifti u kap në mes të natës ndërsa po flinin, shkruan CNN.

Bastisja, e kryer nga njësia elitare Delta Force e Ushtrisë Amerikane, nuk shkaktoi asnjë viktimë në radhët e SHBA-së.

Raportohet se në vitin 2020, gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump, Maduro u akuzua në Distriktin Jugor të New Yorkut për “narkoterrorizëm”, komplot për importimin e kokainës dhe akuza të ngjashme.

Administrata Trump ofroi një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për arrestimin e udhëheqësit venezuelian asokohe.

Ky shpërblim u rrit në 25 milionë dollarë në ditët e fundit të administratës Biden, në fillim të janarit 2025, dhe u rrit në 50 milionë dollarë në gusht 2025 pasi Trump mori detyrën për një mandat të dytë dhe e shpalli Cartel de los Soles si një organizatë terroriste të huaj.

Administrata ka pretenduar se Maduro është udhëheqësi i atij grupi, të cilin e përshkruan si një organizatë kriminale. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat