Kushti i Netanyahut për marrëveshjen SHBA-Iran: Shkatërrim i kapaciteteve të pasurimit të uraniumit nga Teherani

Bota

Kushti i Netanyahut për marrëveshjen SHBA-Iran: Shkatërrim i kapaciteteve të pasurimit të uraniumit nga Teherani

Më: 15 shkurt 2026 Në ora: 22:53
Benjamin Netanyahu

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se çdo marrëveshje mes SHBA-së dhe Iranit për programin bërthamor duhet të përfshijë “shkatërrimin” e kapaciteteve të pasurimit të uraniumit nga Republika Islamike.

Duke folur në Jerusalem para Konferencës së Presidentëve të Organizatave Hebraike Amerikane dhe duke iu referuar takimit të tij këtë javë në Uashington me presidentin amerikan Donald Trump, Netanyahu theksoi se “kushti i parë” është që i gjithë materiali i pasuruar të largohet nga Irani.

“Së dyti, nuk duhet të ekzistojë asnjë kapacitet pasurimi – jo thjesht ndalimi i procesit, por çmontimi i pajisjeve dhe infrastrukturës që e mundësojnë pasurimin e uraniumit”, shtoi ai.

Netanyahu kërkoi gjithashtu që çdo marrëveshje të përfshijë kufizime mbi programin e raketave balistike të Iranit, si dhe “çmontimin e boshtit të terrorit” që, sipas tij, Teherani ka ndërtuar në rajon, duke përmendur grupet e armatosura që mbështeten nga Irani, si Houthis në Jemen, Hezbollah në Liban dhe Hamas në territoret palestineze.

Ai theksoi nevojën për “inspektime reale dhe efektive, jo inspektime pas paralajmërimit”, duke nënvizuar se këto janë elementet thelbësore për zbatimin e një marrëveshjeje të qëndrueshme.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi u nis për në Gjenevë, ku pritet të zhvillohet një raund i ri negociatash me Shtetet e Bashkuara për programin bërthamor iranian.

SHBA dhe Irani rifilluan bisedimet më 6 shkurt në Oman, një hap që u përshëndet nga të dyja palët. Ky është takimi i parë që prej ndërprerjes së negociatave në qershor, pas përshkallëzimit të konfliktit 12-ditor mes Iranit dhe Izraelit, i cili nisi me sulme izraelite ndaj objekteve bërthamore dhe ushtarake iraniane.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat