Nafta kalon 100 dollarë për fuçi

Bota

Nafta kalon 100 dollarë për fuçi

Më: 9 shtator 2026 Në ora: 17:57
Fotoilustrim

Çmimi i naftës është rritur mbi 100 dollarë për fuqi (barron) për herë të parë që nga korriku, ndërsa përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme kërcënon të shkaktojë ndërprerje të mëtejshme të furnizimeve globale.

Nafta Brent u rrit me më shumë se 3% pas përplasjes së fundit mes SHBA-së dhe Iranit në Gjirin Persik dhe sulmeve të Houthive ndaj qyteteve saudite, raporton The Guardian e përcjell KosovaPress.

Ushtria amerikane tha se kishte shkatërruar disa cisterna iraniane, pasi Teherani u përpoq të godiste një anije luftarake të marinës amerikane me raketa balistike. Një natë më parë, Houthit e mbështetur nga Irani sulmuan katër qytete në Arabinë Saudite, duke plagosur më shumë se 70 persona dhe duke shkaktuar zjarre në disa instalacione nafte.

Çmimi i naftës është rritur me një të katërtën që nga fillimi i gushtit, ndërsa shpresat për një zgjidhje të përhershme të luftës gjashtëmujore janë zbehur. Çmimet janë luhatur gjatë gjashtë muajve të fundit që nga fillimi i bllokadës së ngushticës së Hormuzit nga Teherani, e cila shkaktoi frikën se bota mund të përballej me ndërprerjen më të madhe të furnizimeve energjetike në histori.

Në javët e para pas sulmeve të para amerikano-izraelite ndaj Iranit në fund të shkurtit, çmimet e naftës u rritën mbi 100 dollarë për fuçi. Çmimi i naftës arriti kulmin në 126 dollarë në prill, por më pas ra për shkak të shpresave për një armëpushim.

Më pas, çmimi filloi të rritej përsëri pasi memorandumi i mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Iranit dështoi dhe armiqësitë rifilluan.

Rritja e çmimeve të energjisë ka shtuar frikën për inflacionin dhe mundësinë e normave më të larta të interesit këtë vit. Në SHBA, ekonomistët presin të paktën një rritje të normës së interesit nga Rezerva Federale deri në fund të vitit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat