Presidenti rus Vladimir Putin po e forcon edhe më tej mbrojtjen e rezidencës së tij të pushimeve pranë liqenit Valdai, në rajonin e Novgorodit, nga frika e sulmeve me dronë. Imazhet e reja satelitore tregojnë katër kulla të tjera kundërajrore rreth pronës, njëra prej të cilave ndodhet vetëm rreth 400 metra nga ndërtesa kryesore.
Për këtë raportoi Radio Svoboda, shërbimi në gjuhën ruse i Radio Evropës së Lirë. Sipas tij, numri i përgjithshëm i këtyre ndërtimeve rreth rezidencës ka arritur në rreth 30.
Prona, që shtrihet afërsisht në mes të rrugës Moskë–Shën Petersburg, mendohet të ketë një sipërfaqe prej rreth 250 hektarësh. Pak dihet për të, por sipas raportimeve aty ka një saunë të madhe, fushë golfi dhe madje edhe një kishë.
Platforma mbi majat e pemëve
Kullat e ngritura duket se janë menduar për sisteme kundërajrore si Pantsir-S1, një sistem rus me rreze të shkurtër deri të mesme që kombinon raketa dhe topa për të rrëzuar aeroplanë, dronë dhe raketa lundruese. Duke qenë mbi majat e pemëve, radarët mund t’i dallojnë më lehtë dronët që fluturojnë ulët. Nuk dihet ende nëse të gjitha kullat janë të pajisura me sisteme funksionale.
Militarizimi i zonës ka nisur prej disa vitesh. Sistemi i parë Pantsir-S1 u vërejt aty në fillim të vitit 2023, ndërsa kullat e para të ndërtuara posaçërisht u shfaqën në pranverën e vitit 2024. Në prill të këtij viti, Radio Evropa e Lirë raportoi se vetëm gjatë marsit ishin ngritur shtatë kulla të reja, duke e çuar numrin në 27.
Rrjeta kundër dronëve edhe në rrugë
Masat janë shtuar edhe në tokë. Në fillim të qershorit, media të pavarura ruse raportuan për rrjeta mbrojtëse kundër dronëve, të vendosura rreth nëntë kilometra larg rezidencës, mbi rrugë dhe vendparkime kamionësh. Rrjeta të tilla përdoren gjerësisht në luftën në Ukrainë për të mbrojtur automjetet nga dronët e vegjël. Sipas analistëve ushtarakë, në Valdai ato mund të shërbejnë për të mbrojtur kolonat e automjeteve dhe rrugët kryesore të qasjes.
Moska pretendoi sulm ndaj rezidencës
Rezidenca e Valdait ka qenë në qendër të vëmendjes edhe më herët. Në fund të dhjetorit 2025, ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov pretendoi se dronë ukrainas kishin tentuar ta sulmonin rezidencën e Putinit në Valdai, ndërsa presidenti Zelensky i hodhi poshtë pretendimet e Kremlinit.
Lajmet për fortifikimet e reja vijnë në një kohë kur Ukraina po godet gjithnjë e më shpesh me dronë objektiva thellë brenda territorit rus. Kremlini nuk ka dhënë asnjë konfirmim zyrtar për ndërtimet e fundit rreth rezidencës së Putinit.