Delegacionet e Rusisë dhe të Ukrainës u ulën të martën në Abu Dhabi në tryezën e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara. Ky është raundi i parë i negociatave trepalëshe që nga shkurti i këtij viti. Sipas Shtëpisë së Bardhë, takimi dyditor në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe ka në fokus garancitë e ardhshme të sigurisë për të dyja vendet, njofton agjencia AP.
Dita e parë e bisedimeve përfundoi pasdite, bëri të ditur për AFP një burim nga delegacioni ukrainas. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, foli për gazetarët në Paris, ku po mbahet takimi i ministrave të Jashtëm të G7-s. Ai i cilësoi bisedimet si „shumë produktive”, por paralajmëroi se ka ende shumë punë dhe se zgjidhja nuk do të vijë brenda një dite. Rubio kërkoi që procesi të zgjerohet dhe që në tryezë të ulen edhe evropianët.
Kushner: Kornizë e re për dekada paqeje
Bisedimet nga pala amerikane po i udhëheqin dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner, dhe i dërguari special Steve Witkoff. Në fjalën hyrëse, Kushner tha se synimi është një kornizë e re, e ndërtuar mbi atë që ka funksionuar në të kaluarën. Ajo duhet të nxjerrë mësim edhe nga arsyet pse dështuan përpjekjet e mëparshme. Ai shprehu shpresën që kjo kornizë të sigurojë paqe për dekada, madje për shekuj. Sipas tij, ka ide të mira se si të ngushtohen dallimet mes palëve.
Në takim mori pjesë edhe komandanti i NATO-s, gjenerali amerikan Alexus Grynkewich. Ai përmendi përparimin e arritur më herët në dialogun ushtarak trepalësh.
Delegacionin ukrainas e drejton Rustem Umerov, shefi i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme, i cili falënderoi SHBA-në për përpjekjet. „Populli ynë po pret që kjo luftë të marrë fund”, tha ai. Sipas Umerovit, dita nisi me një takim të ekipit ukrainas me të dërguarit amerikanë. Në të morën pjesë edhe përfaqësues të Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Italisë, NATO-s dhe Komisionit Evropian.
Delegacionin rus e kryeson ndihmësi i Putinit, Vladimir Medinski. Ai e ka udhëhequr ekipin e Moskës që nga bisedimet e para të drejtpërdrejta në Stamboll, në mars të vitit 2022. Medinski tha se shpreson që takimi ta çojë përpara rrugën drejt paqes.
Kërkesat mbeten larg njëra-tjetrës
Pavarësisht përpjekjeve të Uashingtonit, pozicionet e Moskës dhe të Kievit mbeten larg. Presidenti rus Vladimir Putin kërkon që Ukraina të tërheqë trupat nga katër rajonet që Rusia i aneksoi në shtator 2022, por që nuk i ka pushtuar plotësisht. Ai kërkon gjithashtu që Ukraina të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO dhe të pranojë kufizime të rrepta për ushtrinë. Moska refuzon një armëpushim të përgjithshëm pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, i cili të martën ishte për vizitë në Danimarkë, i refuzon lëshimet territoriale dhe çdo kufizim të ushtrisë ukrainase. Kievi këmbëngul se hapi i parë duhet të jetë armëpushimi i menjëhershëm. Sipas Kievit, çështjet territoriale mund të zgjidhen vetëm në një takim të drejtpërdrejtë mes Zelenskit dhe Putinit.
Bisedimet po zhvillohen në hijen e sulmeve të reja. Forcat ajrore ukrainase raportuan se gjatë natës Rusia lëshoi 162 dronë dhe një raketë balistike. Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se rrëzoi 155 dronë ukrainas mbi tetë rajone ruse dhe mbi Krime.
Trump: Marrëveshja do të përfshijë më shumë se Ukrainën
Raundi i Abu Dhabit vjen pasi presidenti Trump deklaroi javën e kaluar se po përgatitet një marrëveshje e madhe për sigurinë evropiane, e cila do të shkojë përtej Ukrainës. Kushner shkroi në rrjetin X se një zgjidhje e qëndrueshme kërkon edhe angazhim të drejtpërdrejtë mes Rusisë dhe partnerëve evropianë. Ky angazhim do të përfshinte çështjet e sigurisë që i prekin ata drejtpërdrejt.
Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, e përshëndeti vendosjen e sigurisë kolektive në krye të agjendës. Disa qarqe në Bashkimin Evropian i shohin propozimet amerikane si tepër lëshuese ndaj Moskës. Rusia ka kundërshtuar pjesëmarrjen e evropianëve në formatin trepalësh, por ka lënë të hapur mundësinë që ata të përfshihen më vonë.
Kancelari gjerman Friedrich Merz tha për televizionin ZDF se nuk ka pritshmëri shumë të larta nga bisedimet. Tri raundet e mëparshme, në fillim të këtij viti, nuk sollën ndonjë përparim thelbësor.
Lufta nisi me pushtimin e plotë rus të Ukrainës gati pesë vjet më parë. Sipas analistëve dhe organizatave humanitare, ajo ka marrë jetën e qindra mijëra ushtarëve dhe të mijëra civilëve. Bisedimet në Abu Dhabi vazhdojnë të mërkurën.