Nga dita e sotme, me startin në Durrës e deri më 1 qershor me finishin në Romë, bota e çiklizmit do të jetë e fokusuar në eventin e parë madhor të sezonit, siç është Xhiroja e Italisë.
Për herë të parë në histori, ky kompeticon prestigjioz do të kalojë nga Shqipëria, me 3 etapat e para në vendin tonë, nga kjo e premte deri të dielën e 11 majit.
Një garë që pritet të ofrojë spektakël në të gjitha llojet e terreneve. Ndërkohë, në këtë speciale do t’ju pasqyrojmë shumën e çmimeve monetare në dispozicion për Xhiron e Italisë 2025.
Shuma totale e çmimeve që do të shpërndahen në 21 etapat e aktivitetit është rreth 1.6 milionë euro.
Kjo shifër do të jepet si bazë e këtyre klasifikimeve: të renditjes së përgjithshme, të pikëve, të maloristëve (KOM), për të rinj, si dhe për renditjen ekipore. Gjithashtu, do të ketë çmime për sprintet e ndërmjetme, interxhirot, shkëputjet më të gjata dhe për çiklistët më luftarakë.