Avni Nuha: U ballafaquam edhe me sfidën infrastrukturore!

Çiklizëm

Avni Nuha: U ballafaquam edhe me sfidën infrastrukturore!

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 23 dhjetor 2025 Në ora: 15:17
Avni Nuha

Çiklizmi i Kosovës ka pas një edicion solid në vitin 2025, por me synime të qarta janë për vitin 2026, të rrisin nivelin e rezultateve në rrafshin ndërkombëtar.

Avni Nuha, kryetar i Federatës së Çiklizmit të Kosovës, ka vlerësuar këtë edicion që po e lamë pas, sipas tij, ka pas progres.

“Edicioni i çiklizmit për vitin 2025 paraqet një sezon të rëndësishëm për zhvillimin e këtij sporti, i shoqëruar me suksese të dukshme, por edhe me sfida e vështirësi objektive.

Gjatë këtij edicioni, sportistët dhe klubet treguan përkushtim të lartë, profesionalizëm dhe qëndrueshmëri, duke arritur rezultate pozitive edhe në kushte të vështira, të cilat përfshinin faktorë klimatikë, sfida infrastrukturore dhe kufizime financiare”, tha Nuha për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Si çdo sport edhe çiklizmi u ballafaqua me telashe të ndryshme, megjithatë ia doli të tregoj rezultate sipas mundësive.

“Pavarësisht peripecive, sezoni 2025 dëshmoi progres në organizim, rritje të konkurrencës dhe përfaqësim dinjitoz në aktivitetet ndërkombëtare, duke reflektuar përpjekjet e vazhdueshme të të gjithë akterëve të çiklizmit.

Ky edicion njëkohësisht ka nxjerrë në pah nevojën për mbështetje të shtuar institucionale, përmirësim të kushteve teknike dhe planifikim më të qëndrueshëm afatgjatë, me qëllim krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e sportistëve dhe rritjen e nivelit të çiklizmit në vend”, ka nënvizuar Nuha.

Numri një i federatës tha se synimi është që të punojnë në të gjitha drejtimet për rritjen e nivelit të këtij sporti në vendin tonë’

“Federata mbetet e përkushtuar të vazhdojë punën në bashkëpunim me klubet, institucionet dhe partnerët relevantë, për të ndërtuar një të ardhme më të fortë dhe më të qëndrueshme për çiklizmin!”, tha Nuha.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat