Bota e çiklizmit është zhytur në zi pas lajmit për vdekjen e çiklistit kolumbian Cristian Camilo Munoz, i cili ndërroi jetë të premten në mëngjes si pasojë e komplikimeve pas një rënieje në një garë në Francë.
Ajo që fillimisht dukej si një lëndim i lehtë në gju gjatë garës, u shndërrua në një përfundim fatal që mjekët në Spanjë nuk arritën ta parandalojnë.
30-vjeçari, anëtar i ekipit “Nu Colombia”, ra gjatë garës së së shtunës së kaluar dhe, pas marrjes së ndihmës së parë, udhëtoi me pjesën tjetër të ekipit drejt Spanjës, ku po përgatiteshin për garën e ardhshme Vuelta Asturias.
Megjithatë, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua papritur të martën, kur u shtrua në spital në Valladolid.
Mjekët diagnostikuan një infeksion të rëndë, i cili, pavarësisht përpjekjeve të mëdha të specialistëve, rezultoi i pakontrollueshëm.
Munoz ishte një emër i njohur në botën e çiklizmit profesionist.
Ai e nisi karrierën e tij profesionale në vitin 2017, ndërsa vëmendjen e publikut botëror e tërhoqi në vitin 2018, kur përfundoi i shtati në renditjen e çiklistëve nën 23 vjeç në garën prestigjioze “Giro d’Italia”.
Ky sukses i hapi dyert e ekipit prestigjioz UAE Team Emirates, ku për tri sezone garoi përkrah yjeve si Tadej Pogaçar, Jasper Philipsen dhe Alexander Kristoff.
Pas kthimit në Kolumbi në vitin 2022, ai vazhdoi karrierën në ekipet vendase, ndërsa këtë vit iu bashkua skuadrës “Nu Colombia”.
Pas kësaj tragjedie, i gjithë ekipi “Nu Colombia” u tërhoq nga gara Vuelta Asturias para etapës së dytë.
Megjithatë, gara vazhdoi, ndërsa organizatorët i bënë homazhe çiklistit të ndjerë me një minutë heshtje para nisjes, ndërsa në automjetin e drejtorit të garës u vendos një shirit i zi në shenjë zie.