BB: Reformat mund të tërheqin 1.5 miliardë dollarë dhe të krijojnë 87,000 vende pune në Kosovë

Ekonomi

BB: Reformat mund të tërheqin 1.5 miliardë dollarë dhe të krijojnë 87,000 vende pune në Kosovë

Më: 29 tetor 2026 Në ora: 17:45
Fotoilustrim

Kosova ofron përparësi të rëndësishme për investitorët privatë, por barrierat rregullatore vazhdojnë të kufizojnë investimet private dhe krijimin e më shumë vendeve të reja të punës dhe me pagesë më të lartë, sipas një raporti të ri të Grupit të Bankës Botërore, të publikuar sot.

Vlerësimi Diagnostik i Sektorit Privat të Vendit identifikon tre nënsektorë ku reformat e shënjestruara politike mund të nxisin investime të konsiderueshme private: prodhimi i energjisë diellore dhe me erë në shkallë të gjërë, shërbimet e biznesit dhe prodhimi i komponentëve për ndërtim. Së bashku, reformat në këta sektorë mund të mobilizojnë rreth 1.2–1.5 miliardë dollarë amerikanë investime private dhe të krijojnë në mënyrë direkte dhe indirekte 61,000–87,000 vende pune gjatë 5-10 viteve të ardhshme.

"Për të krijuar vende pune, për të gjeneruar të ardhura vendore, dhe për të nxitur rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ekonomike, Kosova duhet të shfrytëzojë mundësitë e pashfrytëzuara për investime private dhe të heqë barrierat për to. Raporti ndihmon Kosovën t’u japë përparësi veprimeve me impaktin më të madh për rritjen e sektorit privat, duke avancuar edhe objektivat më të gjëra të zhvillimit", citohet në komunikatë Carole Megevand, Menaxhere e Grupit të Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Kosova synon të rrisë burimet e ripërtëritshme të energjisë në 63 përqind të kapacitetit të instaluar të prodhimit të energjisë elektrike deri në vitin 2031, nga vetëm 23 përqind në vitin 2024. Kjo kërkon më shumë siguri për investitorët, veçanërisht mbi atë se kush do ta blejë energjinë e tyre elektrike. Veprimet prioritare përfshijnë miratimin e një kalendari shumëvjeçar ankandesh dhe operacionalizimin e garancive të likuiditetit për operatorin e sistemit të transmisionit KOSTT sipas Rregullës për Mekanizmin Mbështetës të Energjisë së Ripërtëritshme të vitit 2025. Deri në vitin 2035, këto reforma mund të mobilizojnë 1 miliard dollarë në investime private, të krijojnë 8,300 vende pune, dhe të ulin emetimet ekuivalente me rreth 24 përqind të prodhimit vjetor të CO2 në Kosovë.

Sektori i shërbimeve të biznesit në Kosovë është zgjeruar me shpejtësi gjatë dekadës së fundit, i nxitur nga kërkesa Evropiane në rritje për “outsourcing” dhe shërbime dixhitale, si dhe nga dixhitalizimi dhe përparësitë që Kosova ofron në cilësinë e shërbimeve në raport me koston. Duke punësuar një fuqi punëtore të re dhe duke ofruar paga relativisht të larta, sektori është një katalizator i fortë për krijimin e vendeve të reja të punës me paga më të mira, dhe ka ende potencial të pashfrytëzuar. Megjithatë, rritja aktualisht është e kufizuar nga rregullativa e punës, mungesa e aftësive, barrierat tjera rregullatore, dhe furnizimi i paqëndrueshëm me energji elektrike. Këtu edhe ndryshimet e vogla mund të sjellin rezultate të rëndësishme.

Reformat në politika, siç janë përcaktimi i kërkesave për kontratat e punës në distancë dhe ato hibride, detyrimi për një listë kontrolli të standardizuar në inspektimin e punës, dhe mundësimi i njohjes ligjore të nënshkrimeve elektronike për kontratat private komerciale, mund të përmirësojnë konkurrueshmërinë, të mbështesin zgjerimin dhe të tërheqin investime private shtesë. Zbatimi i rekomandimeve të raportit në këtë sektor mund të tërheqë 68 deri në 177 milionë dollarë investime të reja dhe të gjenerojë 32,000 deri në 46,000 vende të reja pune.

Sektori i prodhimit të komponentëve për ndërtim në Kosovë është njësoj mirë i pozicionuar për të përfituar nga kërkesa e fortë vendore për ndërtim, nga rritja e apetitit në Evropë për produkte ndërtimi me efikasitet të lartë energjetik, dhe nga një bazë tashmë ekzistuese por pamjaftueshëm e shfytëzuar për eksport. Megjithatë, efektet e padëshiruara të politikave dhe mosfunksionimi i plotë i tregut, rrisin kostot operative, dekurajojnë investimet dhe kufizojnë aftësinë e firmave për t'u zgjeruar. Kufizimet kryesore përfshijnë qasjen e pasigurt dhe të kushtueshme në energji elektrike, paqartësitë në tregun e tokës, procedurat e ndërlikuara për leje ndërtimi, mospërputhjen e aftësive në tregun e punës, qasjen e kufizuar në kapital qarkullues, dhe zbatimin e dobët të standardeve të produkteve.

Adresimi i këtyre pengesave mund të mobilizojë 187–296 milionë dollarë investime private dhe të krijojë 21,000–33,000 vende pune, duke forcuar konkurreshmërinë e eksportit dhe duke thelluar integrimin midis prodhimit dhe sektorit të ndërtimit në Kosovë.

Reformat e rekomanduara përfshijnë krijimin e një mekanizmi të shpejtë për trajtimin e kërkesave për leje ndërtimi me qëillm industrial nga firmat prodhuese; kërkesën për një modul të strukturuar trajnimi në vendin e punës për certifikimin në Arsimin dhe Trajnimin Profesional në profesionet e prodhimit të komponentëve të ndërtimit; dhe kalimin në inspektime të shënjestruara dhe të bazuara në rrezik, për produktet e prodhuara ndërtimore.

Grupi i Bankës Botërore mbetet i përkushtuar për të mbështetur Kosovën me njohuri, financim dhe ekspertizë për të zgjeruar investimet private, për të krijuar vende cilësore pune, dhe për të ndërtuar një të ardhme më të begatshme. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat