Veteranët e Futbollit të Prizrenit, reagojnë ashpër me zhvillimet e fundit të klubit të futbollit Liria! Liria është në një situatë të rëndë dhe aktualisht në pozitën e gjashtë me 25 pikë pas 20 jave në Ligën e Parë të Kosovës, grupi A.
“Reagim: Cilat janë prapaskenat e KF Liria të cilat i fshihen publikut prizrenas. Ka shumë nga to, do ti numërojmë vetëm disa nga më kryesoret.
Jo legjitimiteti!
1. Kryesia momentale e KF Liria është jo legjitime. Është i (vet)emëruar një bord që nuk ka mandat nga kuvendi i klubit.
Jo transparenca!
2. Mungojnë llogaridhëniet për shpenzimet enorme që ka klubi, diku rreth 25.000 € për pagat mujore, për lojtarët dhe trajnerët që kanë 16 pikë më pak se lideri i grupit dhe paga deri në 2000 € për lojtarë të cilët nuk luajnë.
Keq-menaxhimi!
3. Së fundmi angazhohet trajneri Naxhi Shensoj dhe pas disa ndeshjeve "bordi" e shkarkon në mënyrën më të shëmtuar.
Kryetari i komunës së Prizrenit ka qenë prezent në takimin kur është angazhuar trajneri në fjalë dhe nuk reagon as ai e askush tjetër për këtë shkarkim, pse?!
4. Kthehet trajneri Skënder Shengyli i cili 3 herë rrëzoi klubin nga Superliga dhe së fundmi (para emërimit të Naxhi Shensoj-it) mbeti mbrapa 9 pikë prej vendit të parë.
Kush e ri-emëroi këtë trajner përsëri ?
5. Shkolla e futbollit të klubit është totalisht e anashkaluar nga klanet mbrenda në klub.
Heshtja e kuvendit komunal!
5.Komuna e Prizrenit, respektivisht kryetari do të duhej të ishin aktiv në kërkim të llogaridhënieve të këtyre klaneve sepse kanë lejuar që para hundëve të tyre të emërohen klane matrapazësh në klub në mënyrë komplet jo-legjitime.
6.Komuna e Prizrenit ka ndarë së fundmi mbi 200.000 € për KF Liria, KB Bashkimi dhe KH Prizreni e të cilat kanë rezultate katastrofale.
Dikush duhet këtu të dalë dhe të i sqaroj qytetarëve Prizrenas se si janë bërë këto shpenzime.
Heshtja e sportistëve Prizrenas!
Gazetarët sportiv, trajnerët, punëtorët sportiv dhe veteranët sportiv duhet te reagojnë për këto probleme. Përkundrazi reagime nuk ka duke u shtirë se kinse çdo gjë është në rregull. Nuk reagojnë sepse kanë ca nga njerëzit e vet nëpër borde.
Do të duhej urgjentisht të angazhohej Auditori i jashtëm për shpenzimet e bëra në kontrata, paga etj.
Do të duhej që brenda 2 muajve të mbahet kuvendi klubit dhe të emërohet Kryesia e re dhe Kryetari i ri legjitim, e ku urgjentisht do të shkarkohej "bordi" jo legjitim dhe të formohej një komision për organizimin e Kuvendit.
Politikat e KF Liria do të duhej të udhëhiqeshin në stadium e jo të zihen tek kuzhinat restaurant "Beska".
Kryetari i komunës duhet urgjentisht të kërkoj përgjegjësi nga klanet që e kanë 'kap' klubin, e jo ta lejoj opozitën e asamblesë komunale ta udhëheq klubin (në mënyrë ilegjitime ligjërisht dhe në mënyrë të mjerë profesionalisht), dhe të mos lejoj të njëjtën gjë sikur që po ndodh edhe me asamblenë e qytetit.
Zgjidhja e këtyre problemeve është vetëm privatizimi apo menaxhimi publiko-privat i klubit ose si shoqëri-aksionare.
Për fund:
Qytetarët e Prizrenit presin reagim të menjëhershëm të kryetarit të komunës për ti ndërprerë skandalet dhe mjerimin që po ndodhin me klubin gati 1 shekullor e të cilin e kanë përdhosur, përbaltosur e zhvatur pa-mëshirë klanet të caktuara zhvatëse të buxhetit të qytetit, përndryshe pezmi i qytetarëve është aq i madh me turpërimin që po i bëhet klubit sa që shumë shpejt do pasoj përgjigja e merituar ndaj të gjithë atyre që e kanë sjellur klubin në këtë gjendje të mjerë pa dallim. Mjaft më!”, reagojnë ashpër veteranët e futbollit të Prizrenit.