Bregallnica e Shtipit ka reaguar shpejt pas shkarkimit të trajnerit Mijalçe Proshev, duke emëruar Xhengis Rexhepin në krye të shtabit teknik.
Trajneri me përvojë dhe karrierë ndërkombëtare do të marrë drejtimin e skuadrës nga Shtipi, me synimin për të sjellë stabilitet dhe rezultate pozitive në vazhdim të sezonit.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi i Bregallnicës, i cili ka konfirmuar emërimin e trajnerit të ri.
Rexhepi gjatë karrierës së tij ka drejtuar disa skuadra, përfshirë Besën, Llapin, Dukagjinin, Lirinë, Feronikelin, Trepçën dhe Vëllaznimin.
Ai gjithashtu ka punuar si ndihmëstrajner te Sivasspori në elitën e futbollit turk, ndërsa nga viti 2017 deri më 2021 ishte pjesë e stafit të përzgjedhësit Igor Angellovskit në kombëtaren e Maqedonisë së Veriut.
Tashmë, Rexhepin e pret një sfidë e re në futbollin maqedonas, ku do të synojë të lërë gjurmë në drejtimin e Bregallnicës.