Vinicius Junior ka shkëlqyer në fitoren e thellë të Brazilit ndaj Singaporit, duke realizuar një het-trik brenda vetëm 12 minutave (9’, 15, 21’), në ndeshjen miqësore mes dy përfaqësueseve.
Ylli i Real Madridit shënoi golin e parë në minutën e nëntë, pas një rrotullimi të bukur, duke i dhënë epërsinë Brazilit.
Më pas, sulmuesi brazilian realizoi edhe dy herë të tjera, duke përfituar nga asistimet e bashkëlojtarëve të tij, Endrick dhe Estevao, të cilët e shërbyen në pozita të favorshme për të shënuar në portën e zbrazët.
Pjesa e parë përfundoi me rezultatin 4:0 në favor të Brazilit, pasi në listën e golashënuesve u regjistrua edhe Endricku (31’), bashkëlojtari i Viniciusit te Real Madridi.
Brazili i shënon shtatë gola Singaporit
Dominimi i Brazilit vazhdoi edhe në pjesën e dytë.
Estevao shënoi në minutën e 51-të për 5:0, ndërsa Rayan realizoi golin e gjashtë në minutën e 65-të.
Rezultatin përfundimtar 7:0 e vulosi futbollisti vendas Raoul Suhaimi, i cili shënoi autogol.
Vinicius kërkoi falje për paraqitjet e tij
Një ditë më parë, 26-vjeçari Vinicius kishte folur edhe për paraqitjet e tij në fillim të sezonit, duke pranuar se nuk kishte qenë në nivelin e dëshiruar.
“U eliminuam herët nga Kampionati Botëror, gjë që nuk e kishim pritur.
Pushimin pas Botërorit e shfrytëzova për të shijuar kohën, për të pushuar dhe për të qëndruar sa më shumë me familjen time.
Për këtë arsye, u stërvita më pak se në vitet e mëparshme. Kjo ndikoi në paraqitjet e mia në fillim të sezonit të ri”, deklaroi Vinicius.
Në këtë sezon, në 12 ndeshje me fanellën e Real Madridit, Vinicius kishte regjistruar vetëm një gol dhe tri asistime.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, vetëm në tri raste e kishte aktivizuar atë gjatë të gjitha 90 minutave të ndeshjes.
Ndërkohë, në miqësoren e së shtunës, të cilën Brazili e humbi 2:3 nga Japonia, Vinicius kishte shënuar të dy golat e kombëtares braziliane.