Mesfushori i Interit, Nicolo Barella, ka folur në konferencë për media në prag të përballjes ndaj Stuttgartit, në kuadër të xhiros së pestë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve.
Futbollisti italian ka pranuar se skuadra zikaltër ka bërë disa gabime në ndeshjet e fundit, por ka theksuar se atmosfera në dhomat e zhveshjes mbetet shumë e mirë dhe se lojtarët janë të vetëdijshëm për përgjegjësitë e tyre.
“Gjithmonë kam thënë se është skuadra ajo që bën dallimin. Kemi një grup të mrekullueshëm, me djem shumë të mirë, por në disa raste është dashur t’i menaxhonim më mirë situatat. Ne jemi ata që zbresim në fushë dhe përgjegjësia është e jona. Kemi biseduar mes vete, sepse jemi profesionistë dhe lojtarë me përvojë. Duhet të vazhdojmë të komunikojmë për t’i përmirësuar gjërat, por këto janë pjesë e futbollit. Nuk jam i shqetësuar”, deklaroi Barella.
Duke folur për ndeshjen ndaj Atalantës, mesfushori italian pranoi se Interi e humbi përqendrimin pasi kaloi në epërsi, duke mos arritur ta ruajë avantazhin deri në fund.
“Në Bergamo, të gjithë meritonim meritat për epërsinë që krijuam, por të gjithë jemi përgjegjës për mënyrën se si kundërshtari u rikthye në lojë. Na ra pak përqendrimi, por ndeshja përfundon vetëm kur gjyqtari vërshëllen.
Nuk mund të kënaqemi duke u kthyer në shtëpi me një pikë, kur kishim mundësi t’i merrnim tri”, u shpreh ai.
Barella foli edhe për mungesat e rëndësishme të Hakan Çalhanoglut dhe Piotr Zielinskit, duke theksuar se çdo mungesë ndikon në skuadër, sidomos në një periudhë me shumë ndeshje.
Sa i përket motivimit të ekipit, italiani nuk beson se rezultatet e fundit kanë ndikuar në ambiciet e Interit.
“Që kur jam pjesë e Interit, synimi ka qenë gjithmonë të garojmë për të gjithë trofetë. Ka vite kur ia dalim më mirë dhe të tjera kur kemi më shumë vështirësi. Kjo është pjesë e rrugëtimit të një skuadre”, theksoi mesfushori.
Në fund, Barella nënvizoi se Interi nuk duhet të kënaqet me atë që ka arritur deri më tani dhe se objektivi mbetet mbrojtja e titullit të kampionit në Itali.
“Juventusi ishte skuadra e fundit që fitoi dy tituj radhazi në Serie A. Synimi ynë është ta mbrojmë titullin. Kjo nuk ka ndodhur që kur jam te Interi dhe natyrisht që na motivon. Kemi edhe gara të tjera, ndaj duhet t'i respektojmë dhe të japim maksimumin në çdo kompeticion”, përfundoi Barella.