Futbollistja shqiptare, Riola Xhemaili, i është bashkuar Kombëtares së Zvicrës për ndeshjet e ardhshme të “play-off”-it të Botërorit ndaj Austrisë.
Lajmi është bërë i ditur nga mediumi zviceran “Blick”, i cili ka raportuar për grumbullimin e futbollisteve të Zvicrës në Bernë.
“Yjet e Kombëtares janë bashkuar: Lia Walti, Alisha Lehmann dhe futbollistet e tjera u grumbulluan të martën në Bernë, për një mision shumë të rëndësishëm. Më 1 dhe 5 dhjetor, Zvicra do të përballet me Austrinë në ndeshjet e “play-off”-it për një vend në fazën finale të Kampionatit Botëror që do të zhvillohet verën e ardhshme”, shkruan media zvicerane “Blick”.
“Pjesëmarrja në fazën finale është gjithmonë e rëndësishme. Futbollistet duhet të kenë mundësinë të prezantohen edhe në arenën ndërkombëtare.
Dukshmëria ndikon në të gjitha projektet tona – duam ta shfrytëzojmë vrullin e krijuar nga Kampionati Evropian që organizuam në shtëpi”, deklaroi Marion Daube, drejtoreshë e futbollit të femrave në Federatën Zvicerane të Futbollit (SFV).