Provokime në Kavadar, Beqiri në konflikt me pjesëtarë të MPB-së…

Futboll

Provokime në Kavadar, Beqiri në konflikt me pjesëtarë të MPB-së…

Nga: K.G. Më: 5 maj 2026 Në ora: 13:28
FFM

Komisioni për gara pranë Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), në mbledhjen e mbajtur më 04.05.2026, ka iniciuar masa disiplinore pas ngjarjeve nga ndeshjet e javës së 30-të në Ligën e Parë të Maqedonisë, sezoni 2025/26.

“Në ndeshjen ndërmjet Tikveshit dhe Arsimit, e zhvilluar më 3 maj 2026 në Kavadar, është konstatuar shkelje serioze nga ana e publikut vendas.

Grupi i tifozëve “Lozari” ka përdorur mjete piroteknike, ku në 38 raste janë hedhur mjete piroteknike në fushë. Pavarësisht dy paralajmërimeve përmes altoparlantit, incidentet kanë vazhduar.

Gjithashtu, është shfaqur një pankartë provokuese me përmbajtje fyese ndaj FFM-së, e cila është larguar pas ndërhyrjes përmes spikerit.

Për këto ngjarje, ndaj klubit është hapur procedurë disiplinore dhe rasti i është dorëzuar Komisionit Disiplinor të FFM-së.

Në ndeshjen e dytë, ndërmjet Sileksit nga Kratova dhe  Shkëndijes nga Tetova, e zhvilluar më 1 maj 2026 në Kratovë, incidentet kanë ndodhur pas përfundimit të ndeshjes. Futbollisti i ekipit mysafir, Imran Fetai, ka dëmtuar një derë të hapësirave zyrtare duke e goditur me këmbë.

Për rastin është përpiluar edhe procesverbal policor dhe është marrë deklaratë nga lojtari.

Gjithashtu, shefi i stafit teknik të Shkëndija, Jeton Beqiri, është sjellë në mënyrë jokorrekte ndaj pjesëtarëve të MPB-së, duke u drejtuar me fyerje verbale në ambientet zyrtare.

Në përputhje me sa më sipër, Komisioni për gara i FFM-së ka hapur procedurë disiplinore ndaj futbollistit të FC Shkëndija, Imran Fetai, si dhe ndaj trajnerit Jeton Bekiri dhe të njëjtit i ka dorëzuar në Komisionin Disiplinor të FFM-së”, ka shkruar media maqedon “Ekipa”. 
 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat