Makineri golash te Roma

Futboll

Makineri golash te Roma

Më: 24 nëntor 2026 Në ora: 13:44
Futbollisti Doniel Malen

Roma ka gjetur te Doniel Malen njeriun vendimtar të repartit ofensiv.

Sulmuesi holandez po kalon një formë të shkëlqyer dhe shifrat e vendosin mes sulmuesve më produktivë të Europës. Tashmë synimi i radhës është të lërë gjurmë edhe në Paris, në përballjen e së mërkurës me PSG.

Malen ka marrë pjesë drejtpërdrejt në 21 nga 46 golat e Romës në kampionat dhe Ligën e Kampioneve. Ai ka realizuar 16 gola dhe ka dhënë 5 asiste, duke qenë protagonist në 46% të realizimeve të skuadrës.

Një tregues që dëshmon rëndësinë e tij në formacionin verdhekuq. Në të gjithë Europën, vetëm dy lojtarë të Barcelonës kanë shifra më të mira. Lamin Jamal kryeson me 26 kontribute (13 gola dhe 13 asiste), ndërsa Rafinja ka arritur në 22 (19 gola dhe 3 asiste). Pas tyre renditet Malen, në të njëjtën kuotë me Kilian Mbapenë, por francezi ka luajtur dy ndeshje më shumë. Herri Kejn ka 18 kontribute, ndërsa Erling Haland 14.

SYTË NGA PARISI

Tani holandezi kërkon të konfirmojë formën edhe në Ligën e Kampioneve. Në katër ndeshje të këtij kompeticioni ka shënuar 4 gola dhe ka dhënë 2 asiste. Për momentin, më shumë gola se ai kanë realizuar vetëm Duvikas me Komon (6), Haland dhe Tresoldi me Bryzhin (nga 5). Përballja me Paris SG ka edhe një motiv të veçantë për Malenin. Ai është ndeshur dy herë me francezët gjatë sezonit 2023-2024, kur aktivizohej te Borusia e Dortmundit.

Në Paris, gjermanët humbën 2-0, ndërsa në Dortmund barazuan 1-1. Megjithatë, në të dyja takimet Malen qëndroi në stol. Dortmundi më pas eliminoi PSG-në në gjysmëfinale, me dy fitore 1-0, përpara se të humbiste finalen ndaj Real Madridit.

Këtë herë, sulmuesi holandez synon të jetë protagonist në fushë dhe të udhëheqë Romën drejt një rezultati të madh. Përballë do të ketë edhe një ish-lojtar të verdhekuqve, brazilianin Markinjos. Malen kërkon të vazhdojë ngjitjen në renditjen e sulmuesve më produktivë të Europës, ku përpara tij qëndrojnë vetëm Jamal dhe Rafinja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat