Thomas Strakosha pritet ta mbrojë sërish portën e AEK-ut në Ligën e Kampionëve, kur kampioni grek luan nesër në mbrëmje në fushën e Comos. Portieri i Kombëtares shqiptare figuron në formacionin e parashikuar nga UEFA për ndeshjen e javës së pestë, vetëm pak ditë pas rikthimit në fushë nga një mungesë e gjatë.
Strakosha nuk kishte luajtur në ndeshje zyrtare që nga 5 shtatori, për shkak të frakturës në kyçin e dorës. Pas 90 minutave në një miqësore kundër AEL Limassolit, të shtunën ai ishte titullar në kampionat kundër Kalamatës, siç njoftoi Novasports. Gjatë mungesës së tij, portën e AEK-ut në Evropë e mbrojti italiani Alberto Brignoli.
Rikthimi vjen në momentin më delikat. AEK ka vetëm tri pikë nga katër ndeshje dhe, sipas Sports Mole, renditet i 29-ti, në zonën e eliminimit. Pas fitores 1:0 ndaj LASK-ut në xhiron e parë, grekët humbën nga Shakhtari (1:3), Manchester City (1:5) dhe Real Madridi, që fitoi me golin e Federico Valverdes në minutat shtesë.
Como, nga ana tjetër, është befasia e këtij edicioni dhe zë vendin e katërt me nëntë pikë. Megjithatë, trajneri Cesc Fabregas paralajmëroi në konferencën e sotme se AEK është skuadër shumë fizike, që i krijoi probleme edhe Real Madridit. "Nuk jemi favoritë", tha spanjolli, duke e cilësuar Comon si klub të vogël që ende ka shumë për të përmirësuar.
Sipas UEFA-s, Como nuk do të ketë sulmuesin Moise Kean, ndërsa te AEK-u mungojnë Kervin Arriaga për shkak të lëndimit dhe Aboubakary Koita për shkak të pezullimit.
Ndeshja Como – AEK nis të martën në orën 21:00 sipas orës së Zürichut, në stadiumin "Giuseppe Sinigaglia".