Trajneri i njohur, Suad Keqi, ka vlerësuar lart punën e përzgjedhësit të Kosovës, Franco Fodës, duke e cilësuar atë si trajnerin më të mirë dhe më të përshtatshëm që ka pasur deri më tani Kombëtarja e Kosovës.
Në emisionin SportCast, Keqi ka theksuar se meritat për ngritjen e Kosovës në Ligën B të Ligës së Kombeve i takojnë në masë të madhe trajnerit gjerman, duke vlerësuar aftësitë e tij taktike dhe teknike.
Ai ka kërkuar që puna e Fodës të gjykohet në mënyrë të drejtë, duke rikujtuar se futbolli nuk njeh vetëm fitore, por edhe humbje e barazime. Sipas Keqit, është e gabuar që trajneri të lavdërohet pas fitoreve, ndërsa të kritikohet ashpër pas çdo rezultati negativ.
“Unë mendoj që është trajneri më i mirë dhe më i duhuri që ka pasur Kosova deri më tani. Pse?...Unë mendoj se Franco Foda është trajneri më i mirë që ka pasur Kosova deri më tani, e për më vonë të shohim. Edhe taktikisht edhe teknikisht, të gjitha sepse ne kur fitojmë, si popull, i gëzohemi të gjithë, është shumë në rregull, mirëpo kur humb, lojë është. A ndodhin gabime? Ndodhin, sepse është futboll, në futboll janë tri rezultatet, të tjera nuk ka, është fitorja, humbja dhe barazimi, kur po fitojmë mirë, kur po humbim keq, ngadal. Është dora e trajneri që ne kemi arritur edhe te Grupi B”, theksoi Keqi.
Pavarësisht humbjes 3:0 nga Irlanda në ndeshjen e fundit të grupit, e zhvilluar në Dublin, Kosova e përfundoi këtë edicion të Ligës së Kombeve në pozitën e tretë të Grupit B3, me gjashtë pikë, duke siguruar qëndrimin në Ligën B edhe për edicionin e ardhshëm.