Fati i titullit të Kupës së Kombeve të Afrikës (AFCON) 2025 pritet të marrë fund të martën, kur Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) do të publikojë vendimin përfundimtar në kontestin mes Marokut dhe Senegalit.
Pretendimet se Maroku do të shpallet zyrtarisht fitues të mërkurën kanë nisur të qarkullojnë në rrjetet sociale, ndërsa gazetari spanjoll Juan Castro ka raportuar se pritet një vendim në favor të marokenëve.
Megjithatë, deri më tani nuk është konfirmuar se cili do të jetë verdikti i CAS-it.
Sipas Reuters, Associated Press dhe njoftimit të CAS-it, vendimi do të bëhet publik të martën, më 24 nëntor, gjatë pasdites në Lozanë të Zvicrës.
Senegali fillimisht e fitoi finalen e 18 janarit 2026, duke e mposhtur Marokun 1:0 pas vazhdimeve, me golin e Pape Gueye.
Finalja u shoqërua me polemika të mëdha në minutat e fundit të kohës së rregullt, pasi Marokut iu akordua penallti.
Në shenjë proteste, lojtarët e Senegalit u larguan përkohësisht nga fusha, duke ndërprerë ndeshjen për disa minuta.
Brahim Diaz dështoi ta realizonte penalltinë, ndërsa Senegali u rikthye në fushë dhe më pas fitoi ndeshjen në vazhdime.
Por në mars, Komisioni i Apelit i CAF-it e anuloi rezultatin, duke e regjistruar finalen si fitore 3:0 për Marokun, me arsyetimin se Senegali kishte shkelur nenet 82 dhe 84 të rregullores së garës.
Maroku e mbështet kërkesën në rregulloren e AFCON-it, e cila parasheh humbjen e ndeshjes për një ekip që largohet nga fusha pa autorizimin e gjyqtarit para përfundimit të saj.
Senegali, në anën tjetër, kërkon anulimin e vendimit të CAF-it, duke argumentuar se ndeshja u përfundua, gjyqtari lejoi vazhdimin e lojës dhe rezultati u përcaktua në fushë.
Sipas Associated Press, interpretimi strikt i rregullave të lojës mund ta favorizojë Senegalin, ndërsa interpretimi i rregullores së turneut mund t'i japë të drejtë Marokut.
Federata Senegaleze e Futbollit e ka dërguar ankesën në CAS më 25 mars, ndërsa seanca dëgjimore u mbajt më 8 tetor në Lozanë.
Tashmë, pas disa muajsh kontestesh, vendimi i së martës pritet t'i japë fund njërës prej polemikave më të mëdha të futbollit afrikan në vitet e fundit.
Nëse CAS e lë në fuqi vendimin e CAF-it, Maroku do të mbetet kampion me rezultatin zyrtar 3:0. Nëse ankesa e Senegalit pranohet, atëherë titulli i fituar në fushë do t'i rikthehet Senegalit.