SHBA organizon Kupën e Botës për femra në vitin 2031

Futboll

SHBA organizon Kupën e Botës për femra në vitin 2031

Më: 23 nëntor 2026 Në ora: 19:29
Fotoilustrim

FIFA ka konfirmuar zyrtarisht nikoqirët e dy edicioneve të ardhshme të Kampionatit Botëror në futboll për femra.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në bashkëpunim me Meksikën, Kosta Rikën dhe Xhamajkën, do ta organizojnë Botërorin e vitit 2031, ndërsa edicioni i vitit 2035 do të mbahet në Mbretërinë e Bashkuar.

Vendimi u miratua të hënën gjatë Kongresit të FIFA-s, pasi të dyja kandidaturat ishin të vetmet në garë për organizimin e këtyre turneve.

Botërori i vitit 2031 do të jetë historik, pasi për herë të parë në futbollin e femrave do të marrin pjesë 48 përfaqësuese. Ky format do të përfshijë katër shtete nikoqire, ndërsa shumica e ndeshjeve pritet të zhvillohen në SHBA.

“Që nga viti 2031 do të kemi 48 ekipe dhe katër organizatorë. Ky është një zhvillim i jashtëzakonshëm brenda vetëm pak vitesh”, deklaroi presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Ndërkohë, Botërori i vitit 2035 do të organizohet bashkërisht nga Anglia, Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut. Kandidatura britanike kishte propozuar gjithsej 22 stadiume, prej të cilave 16 në Angli, tri në Uells, dy në Skoci dhe një në Irlandën e Veriut.

Sipas shefit ekzekutiv të Federatës Skoceze të Futbollit, Ian Maxwell, dy stadiumet që pritet ta përfaqësojnë Skocinë janë Hampden Park në Glasgow, me kapacitet prej 52 mijë ulësesh, dhe Easter Road në Edinburgh, me 20 mijë ulëse.

Qytetet dhe stadiumet që do të presin ndeshjet në të dyja edicionet ende nuk janë përcaktuar zyrtarisht.

Para këtyre dy turneve, vëmendja do të jetë te Botërori i vitit 2027 në Brazil, i cili do të zhvillohet nga 24 qershori deri më 25 korrik, me pjesëmarrjen e 32 kombëtareve.

Kampionia në fuqi është Spanja, e cila në finalen e vitit 2023 e mposhti Anglinë. Ndërsa SHBA-ja vjen si kampione olimpike në futbollin e femrave.

Ky është një tjetër hap në zgjerimin e futbollit të femrave, me FIFA-n që synon rritjen e pjesëmarrjes dhe të interesimit global për këtë sport.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat