Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka dhënë lajme inkurajuese për gjendjen e portierit David Raya, i cili u lëndua në ndeshjen e fundjavës kundër Newcastle United.
Portieri spanjoll pësoi një dëmtim në shpatull gjatë barazimit 2:2 në St James’ Park, të shtunën, dhe u detyrua ta lërë fushën në minutën e 70-të, pasi u përplas në një aksion me sulmuesin e Newcastle, William Osula.
Raya u largua nga loja duke mbajtur krahun e majtë dhe duke shfaqur dhimbje, ndërsa të hënën mungoi edhe në stërvitjen e Arsenalit, në prag të përballjes me Borussia Dortmundin në Ligën e Kampionëve.
Arteta konfirmoi se 31-vjeçari nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e së martës, por vlerësoi se gjendja e tij nuk duket aq shqetësuese sa ishte menduar fillimisht.
“Fatkeqësisht, ai nuk është i gatshëm për nesër, por nuk duket diçka shumë serioze. Na duhen edhe disa ekzaminime të tjera nesër, por lajmet janë inkurajuese. Duke parë dhimbjet që kishte menjëherë pas aksionit, të gjithë ishim të shqetësuar, por duket se gjendja është më e mirë nga sa prisnim”, deklaroi Arteta.
Trajneri spanjoll bëri të ditur gjithashtu se ndërhyrja kirurgjikale, e cila do ta mbante portierin jashtë fushave për disa muaj, nuk është e nevojshme.
“Nuk ka nevojë për operacion, gjë që ishte frika jonë kryesore, sepse kjo do ta linte jashtë për muaj të tërë. Të shohim se si do të shkojë”, shtoi ai.
Në garë për ta zëvendësuar Rayën janë Kepa Arrizabalaga dhe Illan Meslier, të cilët morën pjesë në stërvitjen e së hënës. Megjithatë, Arteta nuk zbuloi se cili prej tyre do të jetë titullar ndaj Dortmundit.
Arsenali po kalon një sezon shumë të mirë, duke kryesuar Premierligën me gjashtë pikë epërsi dhe duke regjistruar tri fitore e një barazim në katër ndeshjet e para të Ligës së Kampionëve.
Raya ka qenë ndër lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, duke regjistruar shtatë ndeshje pa pranuar gol në 10 paraqitjet e para të këtij sezoni. Ndërkohë, Arteta ende nuk mund të llogarisë as në Bukayo Sakan, i cili vazhdon rikuperimin nga lëndimi në kofshë dhe pritet të mungojë edhe disa javë.