Federata Marokene ka njoftuar Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) për një telefonatë të dyshuar mes presidentit të Federatës Senegaleze, Abdoulaye Fall, dhe njërit prej tre arbitrave të përfshirë në shqyrtimin e çështjes.
Sipas një burimi të njohur me dosjen, të cituar nga ‘Reuters’, telefonata dyshohet se është zhvilluar të dielën dhe në të përmendet juristi gjerman Ulrich Haas, pjesë e trupit gjykues që po shqyrton ankesën e Senegalit.
Megjithatë, ky mbetet një pretendim i palës marokene dhe nuk është konfirmuar publikisht. “Reuters’ nuk ka arritur të verifikojë në mënyrë të pavarur nëse telefonata ka ndodhur apo cili ka qenë përmbajtja e saj.
Rasti vjen në prag të vendimit të shumëpritur për Kupën e Afrikës. CAS njoftoi të hënën se vendimi do të publikohet këtë të martë, më 24 nëntor, gjatë orëve të pasdites, pa specifikuar një orar të saktë.
Senegali kërkon rikthimin e titullit
Sipas mediumit spanjoll, “Marca”, në qendër të kësaj përplasjeje është finalja e zhvilluar në janar, të cilën Senegali e fitoi 1-0 pas vazhdimeve.
Megjithatë, Konfederata Afrikane e Futbollit (CAF) anuloi rezultatin dhe ia dha fitoren 3:0 Marokut, duke vlerësuar se largimi i përkohshëm i futbollistëve senegalezë nga fusha përbënte braktisje të ndeshjes.
Senegali e ka apeluar vendimin dhe kërkon rikthimin e titullit të fituar në fushën e lojës.