Juventusi po përgatit një ofertë prej 40 milionë eurosh për afatin kalimtar të janarit për mesfushorin e Lazios, Kenneth Taylor, në përpjekje për të mposhtur konkurrencën e Newcastle Unitedit dhe tri klubeve të tjera të Premier League.
Futbollisti 24-vjeçar holandez është shndërruar në njërin prej lojtarëve më të vëzhguar në Evropë, pasi me paraqitjet e tij ka ndihmuar Lazion të realizojë një ngritje të papritur deri në krye të renditjes së Serie A.
Sipas TEAMtalk, Juventusi është klubi që ka avancuar më së shumti në garën për shërbimet e Taylorit dhe shpreson që oferta prej 40 milionë eurosh në janar të mjaftojë për të lënë pas konkurrencën angleze.
Newcastle, Brentford dhe Bournemouth janë të interesuara për mesfushorin holandez, ndërsa edhe Brightoni po e përcjell me vëmendje zhvillimin e tij.
Interesimi i Bournemouthit është shtuar, pasi klubi po përgatitet për mundësinë e largimit të Alex Scottit, i cili kërkohet nga Chelsea dhe Liverpooli.
Taylor iu bashkua Lazios nga Ajaxi në janar, për shumën prej 17 milionë eurosh, por është përshtatur jashtëzakonisht shpejt me futbollin italian.
Mesfushori ka qenë titullar në të gjitha ndeshjet e Lazios në Serie A deri më tani gjatë këtij sezoni, duke kontribuar me gola dhe asistime në sukseset e skuadrës, e cila qëndron në krye të tabelës.
Që nga transferimi nga Holanda, ai ka regjistruar 33 paraqitje zyrtare me fanellën e ‘Biancocelestëve’, duke shënuar pesë gola dhe duke dhënë katër asistime.
Pavarësisht interesimit të madh të Juventusit dhe vëmendjes gjithnjë e më të madhe nga klubet e Premier League, largimi i Taylorit në janar duket shumë pak i mundshëm.
Sipas mediumit në fjalë, drejtuesit e Lazios tashmë i kanë garantuar trajnerit Gennaro Gattuso se lojtarët kryesorë të skuadrës nuk do të shiten gjatë sezonit, përderisa klubi vazhdon të jetë i përfshirë në garën për titullin e kampionit në Serie A.
Një tjetër element i rëndësishëm është se edhe vetë Taylor raportohet t'i ketë bërë të ditur stafit teknik se synon ta përfundojë sezonin në kryeqytetin italian.
Me kontratë të vlefshme deri në vitin 2030, Lazio ndodhet në një pozitë shumë të favorshme në negociata, ndërsa vlera e tij prej 40 milionë eurosh mund të rritet edhe më shumë nëse skuadra vazhdon me paraqitjet e mira.
Ish-klubi i tij, Ajaxi, gjithashtu përfiton nga një klauzolë prej 10 për qind të shumës së rishitjes, çka do t'i siguronte klubit holandez një përfitim të konsiderueshëm kur Taylor të largohet përfundimisht.