Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, po vazhdon të shkruajë histori me klubin katalanas. Gjermani ka barazuar numrin e fitoreve me përmbysje të Pep Guardiolës dhe është afruar pranë thyerjes së rekordit që mbahet nga Johan Cruyff, pas fitores dramatike 3:2 ndaj Villarrealit të dielën e kaluar.
Sipas gazetës spanjolle “Mundo Deportivo”, Flick nuk ka arritur vetëm ta mbajë Barcelonën në vendin e parë në La Liga, me tri pikë epërsi ndaj Real Madridit, por ka shënuar edhe një tjetër arritje të rëndësishme.
Fitorja ndaj Villarrealit ishte përmbysja e 24-të e regjistruar nga Flick në 134 ndeshje në krye të Barcelonës. Me këtë shifër, ai ka barazuar Pep Guardiolën, të cilit iu deshën 249 ndeshje si trajner i Barcelonës për të arritur të njëjtin numër fitoresh me përmbysje.
Natyrisht, Flick do të preferonte të mos përjetonte situata të tilla të vështira gjatë ndeshjeve dhe do të dëshironte që lojtarët e tij të mos shpenzonin më shumë energji sesa është e nevojshme. Megjithatë, trajneri gjerman tashmë është shumë pranë rekordit të fitoreve me përmbysje, i cili mbahet nga Johan Cruyff. Trajneri holandez kishte regjistruar 28 fitore të tilla në 430 ndeshje në drejtimin e klubit katalanas.
Magjia e përmbysjeve
Flick mori drejtimin e Barcelonës në verën e vitit 2024, ndërsa sezoni i tij i parë përfundoi me nëntë fitore të arritura pas përmbysjes së rezultatit. Gjashtë prej tyre u realizuan në La Liga.
Njëra prej tyre ishte veçanërisht e jashtëzakonshme në Ligën e Kampionëve, ku skuadra e tij arriti të përmbyste disavantazhin 4-2 dhe të fitonte ndeshjen me rezultatin 5-4.
Dy përmbysje të paharrueshme ndaj Real Madridit ndihmuan gjithashtu Barcelonën të fitonte dy trofe.
E para ndodhi në Arabinë Saudite, ku Barcelona, pasi ishte në disavantazh 1:0, arriti të përmbyste rezultatin dhe të fitonte 5:2, duke ngritur trofeun e Superkupës së Spanjës.
Disa muaj më vonë erdhi përballja e dytë, në finalen e Kupës së Mbretit, të zhvilluar në stadiumin La Cartuja. Barcelona ishte në disavantazh 2:1, por arriti të përmbyste rezultatin dhe të fitonte 3:2, falë golit të Jules
Koundé në minutën e 115-të të vazhdimeve.
Sezonin e kaluar, numri i përmbysjeve të realizuara nga Flick arriti në 10. Shtatë prej tyre erdhën në La Liga, ku më e rëndësishmja ishte ajo ndaj Atletico Madridit në stadiumin “Metropolitano”. Kjo përmbysje pothuajse e vendosi titullin e kampionit në favor të Barcelonës.
Tri përmbysjet e tjera u realizuan në Ligën e Kampionëve.
Ndërkohë, në sezonin aktual, Flick ka regjistruar tashmë pesë fitore me përmbysje: një në Ligën e Kampionëve dhe katër në La Liga.
Ky është numri më i lartë i përmbysjeve të regjistruara nga një trajner në ligat kryesore evropiane, ku Flick ka të njëjtën shifër me Interin.