Kevin De Bruyne ka shprehur dashurinë dhe respektin për Manchester Cityn, në prag të rikthimit në stadiumin “Etihad”, kësaj radhe si kundërshtar me fanellën e Napolit.
Mesfushori belg, i cili kaloi dhjetë vjet te skuadra angleze, do të përballet me ish-klubin e tij të martën, në kuadër të javës së pestë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve.
“Jam krenar për atë që kam arritur si futbollist dhe, sinqerisht, ky është klubi im”, ka deklaruar De Bruyne.
Ai ka bërë të ditur se vazhdon të ketë raporte të mira me drejtuesit e klubit, me të cilët diskuton edhe për çështje jashtë futbollit.
“E dua pronësinë e klubit. Kam biseduar me Khaldoon Al Mubarakun për shumë gjëra, madje edhe për mënyrën se si mund të blesh një klub. Nuk kam asgjë tjetër përveç dashurisë për këtë klub dhe kjo nuk do të ndryshojë kurrë”, ka thënë belgu.
De Bruyne ka theksuar se Manchester City dhe njerëzit e klubit kanë pasur një rëndësi të veçantë për të dhe familjen e tij.
Ndërkohë, bashkëlojtari i tij i dikurshëm, Jeremy Doku, ka thënë se belgu meriton një pritje të ngrohtë nga tifozët në “Etihad”.
“Ai e meriton një pritje të ngrohtë për gjithçka që ka bërë për klubin. Jam i lumtur që po rikthehet, por shpresoj të mos jetë shumë i mirë kundër nesh”, është shprehur Doku.
Napoli gjendet në pozitën e 27-të në tabelën e Ligës së Kampionëve, me vetëm tri pikë pas katër ndeshjeve, kurse Manchester City renditet i shtati.
Në Serie A, Napoli zë vendin e tetë, ndërsa De Bruyne ka krijuar 28 raste shënimi, duke dëshmuar se vazhdon të jetë një prej futbollistëve më kreativë të skuadrës italiane.