José Mourinho e ktheu konferencën për shtyp para ndeshjes me PSV Eindhovenin në një përgjigje të ashpër ndaj ankesave për kalendarin e ngjeshur. Trajneri i Real Madridit tha se, nëse futbollistët duan të protestojnë sepse luajnë shumë ndeshje, mund të pranojnë që t'u përgjysmohen pagat.
Sipas Goal, portugezi iu drejtua edhe Luis Enriques, duke pyetur nëse trajneri i PSG-së do të pranonte një shkurtim page prej 20 për qind për të mos dalë më në konferenca. Ai tha se e respekton kolegun spanjoll, por nuk pajtohet me të, para se të shtonte me shaka: "Mos m'i prekni pagat".
Mourinho shmangu pyetjen për Nico Pazin, mesfushorin argjentinas të Comos, për të cilin Reali ka të drejtën e riblerjes në fund të sezonit. Ai u përgjigj shkurt se lojtari nuk luan në skuadrën e tij. Më i ashpër ishte ndaj Santi Comesañës së Villarrealit, i cili kishte thënë se edhe Reali, ashtu si Barcelona, u bën presion gjyqtarëve. Duke kujtuar golin e anuluar dhe përjashtimin e Viniciusit kundër Villarrealit, Mourinho tha: "Ai ka amnezi".
Për Viniciusin, trajneri konfirmoi se do të jetë titullar dhe shprehu bindjen se braziliani do ta gjejë sërish formën më të mirë. Ndërsa për PSV-në tha se është skuadër më e mirë se sa tregojnë pikët e saj, me lojtarë me përvojë si Ivan Perishiq e Filip Kostiq dhe me një trajner me eksperiencë si Peter Bosz.
Real Madridi ka 12 pikë nga katër ndeshje. Mourinho tha se kjo i jep skuadrës qetësi, por theksoi se Reali nuk dëshiron të luajë në fazën e playoff-it.
Ndeshja Real Madrid – PSV Eindhoven luhet të martën në orën 21:00 sipas orës së Zürichut, në "Santiago Bernabéu".