Pse Hajduku po i kushton rëndësi arritjes së shifrës prej 115 mijë anëtarësh?

Futboll

Pse Hajduku po i kushton rëndësi arritjes së shifrës prej 115 mijë anëtarësh?

Nga: B.S. Më: 24 nëntor 2026 Në ora: 11:27
Tifozët e Hajdukut

Klubi kroat Hajduk i Splitit ka arritur një shifër të veçantë dhe simbolike prej 115.000 anëtarësh. Në këtë mënyrë, klubi është afruar me një tjetër jubile të rëndësishëm, 115-vjetorin e themelimit, të cilin do ta festojë më 13 shkurt 2027.

Numri i anëtarëve gjatë viteve të fundit është shndërruar në një nga treguesit më të rëndësishëm të lidhjes mes Hajdukut dhe tifozëve të tij.

Në vitin 2023, klubi për herë të parë e kaloi kufirin prej 100.000 anëtarësh dhe që atëherë ka arritur ta përsërisë këtë sukses çdo vit.

Kështu, në vitin 2026, Hajduku për të katërtin vit radhazi kishte më shumë se 100.000 anëtarë.

Vitit të kaluar, klubi i mbylli regjistrimet me më shumë se 120.000 tifozë të anëtarësuar, ndërsa shifra aktuale prej 115.000 anëtarësh merr një domethënie edhe më të veçantë për shkak të përvjetorit të afërt.

Hajduku ndër klubet me numrin më të madh të anëtarëve në botë

Klubi nga Spliti renditet gjithashtu në mesin e klubeve të futbollit me bazën më të madhe të anëtarësisë në botë.

Sipas renditjes së publikuar nga gazeta sportive portugeze “A Bola”, Hajduku zuri vendin e 17-të me 114.789 anëtarë.

Para tij gjenden, ndër të tjera, Bayern Munih, River Plate, Benfica, Boca Juniors dhe Borussia Dortmund.

Në krye të kësaj renditjeje ndodhet Bayern Munihu, me më shumë se 430.000 anëtarë.

Shifra e Hajdukut është veçanërisht mbresëlënëse kur merret parasysh madhësia e tregut në të cilin vepron klubi.

Për nga numri i anëtarëve, Hajduku është i krahasueshëm me disa klube të njohura gjermane, si Stuttgart dhe Borussia Mönchengladbach.

Anëtarësimi përbën një pjesë të rëndësishme të identitetit të Hajdukut, ndërsa shifra prej 115.000 tifozësh, në vitin kur klubi feston 115-vjetorin e themelimit, ka një vlerë të veçantë simbolike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat