Trajneri i Komos, Çesk Fabregas, ka komentuar zërat për një largim të mundshëm të yllit të skuadrës së tij, Niko Paz, drejt Real Madrid.
Tekniku i skuadrës italiane, është i ndërgjegjshëm që në kontratën e lojtarit ka klauzola që favorizojnë transferimin e tij tek madrilenët, por ai insiston se për momentin futbollisti nuk do lëvizë.
“Kanë ardhur që tani për ta marrë. U bënë tre vite që dëgjoj nga këto anë që do të largohet, por për momentin unë vazhdoj ta shikoj këtu. Ndaj qetësi, ai është një lojtar i yni, të shohim se çfarë do të ndodhë në vijim”, ishin fjalët e Fabregas në një intervistë për “TNT Sports Mexico”.
Megjithatë, duket se spanjolli ka gjetur mënyrën se si të administrojë një grup të rinjsh të talentuar, mes të cilëve është edhe argjentinasi.
“Unë nuk jam vetëm një trajner, jam këtu që të drejtoj 12 djem mes 19-22 vjetëve, ndaj jam edhe një edukator, një baba. Unë e kam shumë të qartë se kush jemi te Komo, nuk jemi te Real Madrid, Bajern Mynih apo Mançester Junajtid. ndaj duhet të ruajmë përulësinë për të respektuar të gjithë dhe për t’u rritur në momentin e duhur.
Nëse një ditë do të shihja një djalosh që e mendon veten superior apo mendon se është më lart se çfarë po ndodh në këtë kontekst, në këtë klub, në këtë skuadër, atëherë nuk do të na pëlqejë më. Pasi jo, nuk jemi kështu, jemi saktësisht e kundërta”, tha Fabregas.