Milani nuk ka ndërmend të presë deri më 1 janar dhe, sipas mediave spanjolle, tashmë i ka paraqitur Real Madridit një ofertë të majme për transferimin e sulmuesit brazilian Endrick.
Sipas gazetarit të radios “Cadena SER”, Antón Meana, klubi italian ka ofruar plot 70 milionë euro për shërbimet e futbollistit të ri.
“Oferta e Milanit është zyrtare. Në ‘San Siro’ e dëshirojnë Endrickun që në afatin kalimtar të janarit dhe për këtë synim tashmë e kanë njoftuar edhe vetë futbollistin”, raporton gazetari Meana.
Sipas tij, në rast se oferta refuzohet, drejtuesit e Milanit janë të gatshëm të diskutojnë për një transferim pas përfundimit të sezonit. Megjithatë, shpresa e tyre është që marrëveshja me “Los Blancos” të arrihet që në janar.
“Problemi qëndron te fakti se Mourinho dëshiron ta mbajë Endrickun, pasi është i vetëdijshëm se nuk do të mund të sigurojë një përforcim të nivelit të brazilianit”, ka deklaruar Meana.
Në rast se palët arrijnë marrëveshje për transferimin, sipas gazetarit, Real Madridi pritet të përfshijë një klauzolë mbrojtëse, përmes së cilës do të ketë të drejtën ta rikthejë futbollistin e ri në “Santiago Bernabéu” ose të barazojë çdo ofertë të ardhshme nga klubet e tjera.
Endrick këtë sezon ka pasur shumë pak hapësirë te skuadra e drejtuar nga Mourinho. Deri më tani, braziliani ka regjistruar vetëm 104 minuta në La Liga dhe 56 minuta në katër ndeshjet e zhvilluara në Ligën e Kampionëve.