Trajneri i Comos, Cesc Fabregas, është shprehur i kënaqur pas fitores (1:0) ndaj AEK-ut të Athinës, në kuadër të xhiros së pestë të Ligës së Kampionëve.
Skuadra italiane triumfoi me rezultat 1:0, falë një goli të bukur të mesfushorit Luis Milla, i cili realizoi në minutën e 57-të.
Pas ndeshjes, Fabregas e cilësoi këtë fitore si shumë të rëndësishme, duke vlerësuar nivelin e lartë të garës dhe paraqitjen e skuadrës së tij.
“Është një fitore e rëndësishme. Niveli në Ligën e Kampionëve është shumë i lartë dhe kemi treguar se mund ta ngremë nivelin e lojës edhe në një kompeticion tjetër. Pashë një grup konkurrues.
Duhet të vazhdojmë kështu. Serie A mbetet gara më e rëndësishme për ne, por netët e tilla në stadiumin ‘Sinigaglia’ janë të mrekullueshme”, deklaroi Fabregas.
Trajneri spanjoll foli edhe për autorin e golit të fitores, Luis Millan, duke bërë një deklaratë me humor për vlerën e tij në tregun e transferimeve.
“Ne e kemi marrë Millan për gjashtë milionë euro, ndoshta në janar e shesim për 20 milionë”, u shpreh me shaka Fabregas.
Ai e vlerësoi mesfushorin si një futbollist shumë të rëndësishëm për grupin, duke theksuar se të gjithë në skuadër e duan dhe e vlerësojnë.
“Karriera e tij ka ardhur gjithmonë duke u rritur. Është një lojtar shumë i rëndësishëm për dhomën e zhveshjes. Të gjithë e duan dhe është thelbësor për ne”, shtoi trajneri i Comos.
Në fund, Fabregas foli edhe për problemet me mungesat, duke zbuluar se skuadra kishte tetë futbollistë jashtë fushave për shkak të lëndimeve.
“Në Ligën e Kampionëve çdo gabim mund të të kushtojë. Për momentin jemi pak në numër, kemi tetë lojtarë të dëmtuar. Ndoshta për herë të parë që kur jam trajner nuk i bëra të gjitha zëvendësimet. Megjithatë, skuadra dinte të luftonte”, përfundoi Fabregas.