Legjenda e futbollit holandez, Ruud Gullit, ka mbetur i habitur nga ndryshimi drastik në paraqitjen e mesfushorit të PSV-së, Kodai Sano, në përballjen ndaj Real Madridit, të cilën skuadra holandeze e humbi me rezultat 5:1 në Ligën e Kampionëve.
Futbollisti japonez zhvilloi një pjesë të parë shumë të mirë në “Santiago Bernabéu”, por paraqitja e tij ndryshoi plotësisht pas pushimit. Kjo rënie e madhe në lojën e PSV-së ishte një nga temat e diskutimit në studion e televizionit Ziggo Sport.
Ish-trajneri Guus Hiddink vlerësoi se PSV-ja duhej të kishte shënuar të paktën tre gola në pjesën e parë, pasi kishte krijuar disa raste të mira.
“Ne tashmë po thoshim se duhej të shënonin të paktën tre gola. Mund ta ndjeje se kjo do të ndodhte dhe në pjesën e dytë ishte një ndeshje mes djemve dhe burrave”, u shpreh Hiddink.
Ai theksoi gjithashtu ndikimin e Jude Bellinghamit, i cili u aktivizua në pjesën e dytë dhe i dha më shumë energji skuadrës madrilene.
Ndërkohë, Gullit vlerësoi edhe rëndësinë e dy përforcimeve në mbrojtjen e Realit, Dean Huijsen dhe Ibrahima Konaté, të cilët u aktivizuan në pushim në vend të Éder Militaos dhe Antonio Rüdigerit.
“Dy qendërmbrojtësit u zëvendësuan menjëherë, sepse nuk po bënin shumë, madje as në fazën sulmuese.
Pastaj hynë Huijsen dhe Konate dhe papritur gjithçka nisi të zhvillohej tri herë më shpejt”, deklaroi Gullit.
Analisti holandez u ndal veçanërisht te Kodai Sano, duke kritikuar gabimet e tij në pjesën e dytë, përfshirë edhe një pasim të gabuar që i dha mundësinë Kylian Mbappés të shënonte për 3:1.
“Ka pasur momente kur mund ta mbanin topin në zotërim. Dhe kjo ishte shumë e çuditshme: Sano ishte fantastik në pjesën e parë, ndërsa në të dytën ishte jashtëzakonisht i dobët. Çdo top që luante përfundonte te kundërshtari”, tha Gullit.
Ai kritikoi gjithashtu qendërmbrojtësit e PSV-së për largimin e shpeshtë të topit përpara, në vend që skuadra të përpiqej ta mbante atë në zotërim.
“Duhet të mendosh: mbajeni topin për pak kohë. Sa më gjatë ta keni topin, aq më pak presion do të ushtronte Reali. Por ata nuk arritën ta bënin këtë, edhe pse kishin mundësi”, përfundoi Gullit.