Futbollisti i Manchester Cityt, Rayan Cherki, ka pranuar se skuadra e tij po kalon një periudhë të vështirë, pas barazimit 2:2 ndaj Napolit në Ligën e Kampionëve.
Francezi, i cili shënoi golin e barazimit në minutën e 86-të, u shpreh i zhgënjyer që City nuk arriti ta fitojë ndeshjen, duke theksuar se skuadra duhet të punojë më shumë për t'u rikthyer te rezultatet pozitive.
“Dëshiroja ta fitoja këtë ndeshje. Mundohemi të japim gjithçka në fushë, por ndonjëherë ndeshja nuk shkon ashtu siç dëshiron dhe kjo po na ndodh në dy apo tri ndeshjet e fundit. Duhet të punojmë më shumë dhe të rikthehemi. Unë thjesht dua t'i fitoj ndeshjet. Është e vërtetë që jemi në një pozitë të vështirë, por në Londër, ndaj Arsenalit, do të udhëtojmë për fitore”, deklaroi Cherki për TNT Sports.
City tani e ka përpara një sfidë të vështirë në udhëtim te Arsenali, në një ndeshje që mund të jetë shumë e rëndësishme për rikthimin e skuadrës së Pep Guardiolës në rrugën e fitoreve.
Ndërkohë, barazimi me Napolin ishte ndeshja e tretë radhazi në të cilën kampioni anglez nuk arriti të marrë fitoren.