Një raportim i publikuar të mërkurën ka zbuluar një pengesë që mund të rrezikojë transferimin e sulmuesit maroken, Yassir Zabiri, te një prej klubeve të mëdha evropiane gjatë afatit kalimtar të dimrit.
Zabiri është i huazuar te Racing Santander nga skuadra franceze Rennes deri në përfundim të këtij sezoni. Për këtë arsye, çdo largim i mundshëm gjatë afatit kalimtar të janarit do të kërkonte marrëveshjen e të dy klubeve, në varësi të ofertave që mund të mbërrijnë për të.
Sipas gazetës spanjolle “AS”, drejtuesit e Racing Santanderit janë plotësisht të qetë në selinë e tyre, në stadiumin El Sardinero, sa i përket situatës së 21-vjeçarit Yassir Zabiri. Ata e dinë se vendimi për të ardhmen e futbollistit është në duart e tyre deri më 30 qershor.
Që në tetorin e kaluar, e njëjta gazetë kishte raportuar se Rennes nuk mund ta ndërpresë para kohe huazimin. Marrëveshja, e cila nuk përmban opsion blerjeje, nuk ka asnjë klauzolë që lejon ndërprerjen e saj gjatë afatit kalimtar të dimrit.
Zabiri ka shënuar 11 gola në 13 ndeshje, pa realizuar asnjë prej tyre nga penalltia, duke u shndërruar në njërin prej futbollistëve më premtues të La Ligës. Ai po shfrytëzon në maksimum çdo mundësi që i jepet. Në kampionatin spanjoll, vetëm Raphinha dhe Kylian Mbappe kanë shënuar më shumë gola se ai.
Paraqitjet e tij nuk kanë kaluar pa u vënë re. Klube dhe agjentë të ndryshëm kanë filluar të interesohen për mundësinë e transferimit të tij, qoftë përmes Racing Santanderit, Rennesit apo përfaqësuesve të tij nga agjencia Unique Sports.
Rennes është pronari i kartonit të Zabirit
Stade Rennes është klubi që zotëron kartonin e reprezentuesit të Marokut. Francezët e transferuan atë nga Famalicao në shkurtin e kaluar për shumën prej 10 milionë eurosh, ndërsa kontrata e tij me klubin është e vlefshme deri në vitin 2029.
Gjatë sezonit të kaluar, Zabiri pati shumë pak hapësirë për të luajtur, prandaj huazimi i tij gjatë verës ishte një mundësi që pritej të ndodhte.
Në mesin e klubeve që kishin paraqitur oferta për të ishin Marseille dhe Venezia, por në fund ai zgjodhi Racing Santanderin për shkak të stilit të lojës së skuadrës dhe pasionit të tij për futbollin spanjoll, të cilin e ndjek që nga fëmijëria, si një tifoz i njohur i Barcelonës.
Racing Santander e di se dëshira e futbollistit është ta përfundojë sezonin në Santander. Ai kishte dhënë këtë zotim që gjatë verës, kur u realizua marrëveshja e huazimit.
Vetëm një ofertë jashtëzakonisht e lartë nga Stade Rennes, e cila do t'i sillte Racing Santanderit miliona euro, mund t'i ndryshonte këto plane.
Megjithatë, drejtuesit kryesorë të Racing Santanderit, Manolo Higuera dhe Sebastián Ceria, e kanë hartuar prej kohësh strategjinë e tyre. Ata janë të vendosur të mos negociojnë largimin e futbollistëve që i konsiderojnë të rëndësishëm për skuadrën.
Gjatë sezonit 2023/2024, drejtuesit e Racingut kishin qëndruar të palëkundur në negociatat me Sevillan për futbollistin Peque, duke insistuar në pagesën e klauzolës së lirimit prej 4 milionë eurosh.
Të njëjtën politikë e kishin ndjekur edhe në rastet e Ínigo Vicentes, Aranës dhe Andrés Martínezes, si dhe gjatë verës së kaluar me Gustavo Puertën dhe Jorge Salinasin.
Barcelona hyn në skenë
Statistikat mbresëlënëse të Zabirit nuk kanë kaluar pa u vënë re nga klubet e mëdha evropiane. Sipas raportimeve të mediave, Barcelona po e përcjell nga afër zhvillimin e sulmuesit maroken, tashmë që emri i tij është shndërruar në një prej më të përmendurve në tregun e futbollistëve të rinj dhe premtues.
Interesimi duket se nuk është vetëm nga njëra anë. Zabiri e admiron dukshëm klubin katalanas dhe ëndërron që një ditë ta veshë fanellën e Barcelonës dhe të luajë në stadiumin “Camp Nou”.
Kjo dëshirë e futbollistit mund t'i japë një dimension edhe më të veçantë çdo negociate të mundshme për transferimin e tij te gjiganti katalanas.