Portieri Radu do të përballet sërish me Bournemouthin, klubin ku kishte luajtur si i huazuar para tri vitesh.
"Është gjithmonë bukur të ritakohesh me ish-bashkëlojtarët. Kur isha unë atje, skuadra ishte në një proces rritjeje nën drejtimin e Iraolës dhe mendoj se tani po bëjnë gjëra shumë të mira. Për mua është një mundësi e mirë për t'u takuar përsëri me ish-bashkëlojtarët e mi. Shpresoj që t'i mposhtim", deklaroi Radu.
Portieri foli edhe për konkurrencën në pozitën e tij, duke theksuar se në futboll asgjë nuk është e garantuar.
"Në jetë asgjë nuk është e garantuar, ndërsa në futboll ka rëndësi vetëm e tashmja. E kaluara është e rëndësishme për të kujtuar se çfarë je në gjendje të bësh, por për një portier është veçanërisht e rëndësishme të ketë vazhdimësi.
Ne jemi tre portierë të mirë, stërvitemi vazhdimisht dhe secili prej nesh dëshiron të luajë. Konkurrenca është e shëndetshme dhe duhet të punojmë çdo ditë edhe më shumë", u shpreh ai.
Duke folur për situatën e skuadrës dhe nevojën për të marrë pikë, Radu kërkoi më shumë besim në vetvete dhe qetësi në këtë periudhë të sezonit.
"Duhet të mësohemi të jetojmë me këtë presion dhe të kemi besim në veten tonë. Pas ndeshjes me Bournemouthin na presin edhe tri ndeshje të tjera.
Duhet të kemi më shumë besim në vetvete, sidomos në këtë moment, sepse kemi treguar se çfarë jemi në gjendje të bëjmë. Jemi i njëjti ekip si vitin e kaluar dhe kemi arritur gjëra shumë të mëdha.
Duhet të besojmë në vetvete dhe të mos i bëjmë vetes presion të panevojshëm", theksoi portieri.
Radu foli edhe për gjendjen në kampin e Celta Vigos, duke thënë se skuadra është e qetë dhe e vetëdijshme për potencialin që posedon.
"Grupi është i qetë dhe ne jemi të vetëdijshëm se mund t'i bëjmë gjërat mirë. Na duhet vetëm që, kur të vijë një fitore, të mos ndalemi pas saj.
Duhet të vazhdojmë të besojmë deri në momentin kur të vijë fitorja dhe pikët që na nevojiten", deklaroi ai.
Në fund, Radu foli edhe për vazhdimësinë që ka gjetur te Celta Vigo, duke theksuar se më parë nuk kishte pasur mundësi të luante rregullisht.
"Më parë nuk kam pasur kurrë vazhdimësinë që kam gjetur te Celta. Po përpiqem të jem sa më konstant, sepse kjo është gjëja më e rëndësishme. Gjithmonë mundohem ta ndihmoj skuadrën me maksimumin e mundësive të mia", përfundoi Radu.