Policia e Kosovës ka raportuar tri raste të dhunës në familje gjatë 7 qershorit në komunat e Gjakovës dhe Rahovecit.
Në rastin e parë, që ka ndodhur në Gjakovë rreth orës 06:00, është arrestuar një i dyshuar, i cili sipas policisë dyshohet se nën ndikimin e alkoolit ka ushtruar dhunë ndaj viktimave. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, ai është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, në një rast tjetër në Gjakovë, rreth orës 20:30, një person dyshohet se ka kryer dhunë në familje ndaj viktimave kosovare. I dyshuari aktualisht ndodhet në kërkim policor dhe rasti është duke u hetuar.
Po ashtu, në Rahovec, rreth orës 23:30, është raportuar një rast i dhunës në familje, ku një mashkull kosovar dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një femre kosovare.
Me urdhër të prokurorit, rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt dhe i dyshuari mbrohet në liri.