Propagandë me nivel të lartë artistik

Kultura

Propagandë me nivel të lartë artistik

Më: 14 mars 2021 Në ora: 22:27
Elona Caslli

Nga: Elona Caslli

Unë nuk jam profesioniste në kinematografi dhe as nuk pretendoj të zotëroj të vërtetën absolute. Thjesht mundohem të kem një vëzhgim individual mbi prodhimet e Kinostudios.

Gjykimi im “politik” bazohet tek fakti që kandari i dobiprurjes dhe dëmprurjes nga prodhimet e Kinostudios anon dukshëm nga dëmprurja.

Personalisht nuk kam kurrfarë nostalgjie për atë kohë dhe për ato prodhime, për faktin e thjeshtë se kanë fabrikuar një Shqipëri që nuk ekzistonte. Shkurt, kanë fabrikuar Njeriun e Ri të realizmit socialist.

Ju më pyesni për “Beni ecën vetë”! Nuk më ngjall asnjë emocion, përveç faktit që më kthen në kohën e fëmijërisë sime. Mund të kem nostalgji për fëmijërinë time, por jo për “Benin që ecte vetë”.

Pse nuk kam nostalgji për Benin?!

Për faktin e thjeshtë se ndërkohë që “Beni ecte vetë” kishte edhe qindra Benra që gdhiheshin e ngryseshin të pangrënë dhe të persekutuar nëpër kampe përqendrimi.

Qindra Benra që u rrëmbeheshin prindërve dhe u merrej gjak për të cilët nuk u prodhua asnjë film.

Qindra Benra që persekutoheshin nga mësuesit nëse kishin një njollë në biografi.

Dhe, një film që shfaq vetëm një pjesë të realitetit duke anashkaluar pjesën më tragjike të tij, në optikën time është propagandë.

Ju doni të thoni se aktorët e propagandës i kanë realizuar më së miri rolet e tyre?! Ndoshta. Megjithatë në thelb mbetet propagandë dhe unë mund të bie në ujdi me ju për ta quajtur veprimtarinë e kinostudios si “propagandë me nivel të lartë artistik”.

Dhe, tek “Beni ecën vetë”, mesa kujtoj, procesi i aksionit ku shkonin gra e burra serviret si një proces i këndshëm, ndërkohë nga rrëfimet e prindërve të mi nuk ishte gjë tjetër veçse një histeri e përbindshme kolektive, që veçse kënaqësi dhe shije për jetën nuk sillte.

Ndaj, unë besoj se gjykimi im nuk është aspak politik, por është në përputhje të plotë me përmbajtjen e propagandës së Kinostudios.

Aktivitetin e Kinostudios mund ta përmbledhë shumë mirë dialogu mes një nëne dhe një biri në një film shqiptar, titullin e të cilit nuk e mbaj mend. Djali ishte emëruar në Tiranë dhe dialogu mes nënës dhe djalit zhvillohet si më poshtë:

Nëna: Të na nderosh. Të nderosh veten dhe Partinë dhe dëgjo: Nënën tënde mund ta gënjesh, por Partinë kurrë. Dëgjove?! Kurrë mos ta gënjesh Partinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat