Djallëzia e “prefektit” dhe analfabetizmi i “Myftiut”

Kultura

Djallëzia e “prefektit” dhe analfabetizmi i “Myftiut”

Nga: Hejza Art Më: 24 shtator 2021 Në ora: 12:45
Foto ilustrim

Fati i Teatrit Shqiptar për Fëmijë dhe të Rinj në Shkup qenka në duart e një hoxhe diletant, i cili ka të drejtën e “Zotit” që nëse Teatri nuk funksionon sipas parimeve islame, ta dëbojë pa fjalë!

Në Maqedoninë e Veriut ekziston një ligj që parasheh denacionalizimin e të gjitha pronave. Megjithatë, ligji parashikon që pronat që janë në interes të shoqërisë apo të shtetit, nuk kthehen por vlerësohen në jepen letra në vlerë! Këtu pastaj plasë korrupsioni, gjithkush fiton: fiton sekseri, fiton ministri, fiton partia, fitojnë njerëzit e BFI-së. Më së shumti që humbë është vetë BFI-ja! Dhjetëra objekte nuk janë kthyer dhe as që do të kthehen ndonjëherë (ndërkohë që janë paguar!), sepse i prek neni i ligjit që thotë se, prona, objektet e nacionalizuara që tash janë interes publik e shtetëror, nuk kthehen!

Sipas prononcimeve të njerëzve kompetentë në BFI, thuhet që, janë kërkuar edhe disa objekte por nuk kthehen. Bëhet fjalë për Sulihanin, që tashmë shërben si Fakulteti i arteve pranë Universitetit “Shën Qirili dhe Metodi”, si dhe Kurshumli Hani që i është falur nga shteti Qendrës kulturore turke ”Junuz Emre”. Nuk bëhet fjalë të kthehet as Hamami i Daut Pashës, i cili aktualisht shërben si galeri e arteve. Nuk mund të denacionalizohet as objekti i Çifte Hamamit, meqë është institucion nacional maqedonas dhe që shërben si galeri e arteve!

Megjithatë, muaj më parë, pushteti maqedonas qenka treguar “zemërmirë” dhe pozitivisht paska reaguar në kërkesën e BFI-së për ta denacionalizuar objektin, i cili deri para pluralizmit shërbente si e vetmja kinema në Maqedoni ku shfaqeshin filmat erotik dhe porno! Pas konfliktit të 2001-shit, në shenjë të lirisë së aktiviteteve kulturore shqiptare, dy artistë të mirënjohur shqiptar (Bajrush Mjaku dhe Refet Abazi) arritën që ta marrin objektin me qira dhe, falë donacioneve të huaja, realizuan idenë e tyre për një Teatër Shqiptar për Fëmijë dhe të Rinj! Në pamundësi për ta mbajtur financiarisht drejtuesit e këtij teatri “dorëzohen” dhe ngrenë idenë e kalimit nga projekt privat në institucion nacional dhe, falë subjektit shqiptar që participon në qeveri, ky propozim u realizua.

Sot kemi një situatë krejtësisht të poshtër! Pushteti ia paskësh kthyer BFI-së pronën, ndërsa Teatri Shqiptar për Fëmijë dhe të Rinjtë ngeli pa objektin e vet! Prej dhjetëra pronave të kërkuara, e paskan parë të arsyeshme ta kthejnë pikërisht objektin, në hyrjen e të cilit figuron mbishkrimi: “Institucioni nacional - Teatri për Fëmijë dhe të Rinj”. Në emër të denacionalizimit rrezikohet me shuarje një institucion nacional i sapo nisur! Ndonëse ky akt makabër ka ndodhur muaj më parë, vetëm tani, në prag të fushatave parazgjedhore, aktualizohet dhe anti-kulturologu (myftiu i Shkupit) bëhet dele, kurse pushteti “kryetari i Çairit” lesh i deles!

Qenkan takuar Qenan Ismaili dhe Visar Ganiu dhe qenkan marrë vesh që mos ta nxjerrin Teatrin për Fëmijë nga objekti i “denacionalizuar”! Nëse efendi Qenani mendon se është pronar i objektit ku akoma vepron Teatri për Fëmijë, ç’ne që takohet me Visar Ganiun, i cili, si kryetar i Komunës së Çairit, nuk ka absolutisht kurrfarë ingerencash mbi këtë institucion nacional! “Pronari” është dashur të takohet me drejtorin (Diana Toskën) e Teatrit, apo me ministreshën e kulturës. Por, një takim i tillë nuk do të gjeneronte “pikë politike” për kandidatin e BDI-së për t’u rizgjedhur në krye të Çairit. Dhe, më në fund, ndonëse “triumfoi” Visar Ganiu, duke e bindur Myftiun e Shkupit që mos ta dëbojë nga objekti i denacionalizuar Teatrin për Fëmijë, meriton “shumë pikë” (përkthe, vota!), kurse Qenan Ismaili duhet t’ia kthejë disi pushtetit këtë mirësi të tij, duke i shërbyer e qëndruar besnik në lojën e pushtetit, të cilin Qenan Ismaili dhe kompania e tij kurrë nuk do ta kuptojnë. Hoxha dhe kultura shqiptare janë dy paralele që nuk puqen askund. Dhe, tani, fati i Teatrit Shqiptar për Fëmijë dhe të Rinj qenka në duart e një hoxhe diletant, i cili ka të drejtën e “Zotit” që nëse Teatri nuk funksionon sipas parimeve islame, ta dëbojë pa fjalë! Ky ishte edhe prononcimi i parë i Qenan Ismailit, të cilit do t’ia kishte lakmi edhe dr. Adhamudhi! Mbase vuan për të kaluarën e këtij objekti kur shërbente si kinema e porno filmave! Injorantët dhe dashakeqët e kulturës shqiptare vendosin për momentin edhe për jetën kulturore të fëmijëve tanë, sepse komuniteti intelektual (!!!) i shqiptarëve të Maqedonisë është në gjumin e rëndë të ndihmuar nga ilaçet e pushtetit për “gjumë të rehatshëm”! /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat