Shoqatat kulturore dhe pushtetet politike

Kultura

Shoqatat kulturore dhe pushtetet politike

Më: 17 shkurt 2022 Në ora: 14:46

Në sistemin demokratik, politikat publike të qeverive të brishta në të shumtën e rasteve na dalin edhe themelues të shoqatave të ndryshme, sidomos të atyre me karakter kulturor! Fatkeqësisht, në sisteme të tilla politike, asnjëherë “nuk kuptohet” mirëfilli qëllimi dhe synimi i themelimit të këtyre shoqatave! Ato ose na dalin si “tezga” militantësh për të përfituar nga pushteti, ose na dalin vegla të verbra të pushtetit, ose për t’i kënaqur nevojat meskine të personave që mendojnë se vetëm aktivitetet sporadike janë veprime të mjaftueshme për të dëshmuar se “edhe ne jemi këtu”!

Për çfarë duhet të shërbejnë shoqatat kulturore? Qeveritë korruptive dhe jo të drejta, në raport me interesat e përgjithshme të qytetarëve, gjithnjë shoqatat kulturore i konsiderojnë si pano reklamash për pushtetin! Nëse nuk e pranojnë këtë rol sakaq përjashtohen nga “keku i pushtetit” dhe, për pasojë shuhen apo në rastin më të mirë, për t’i ikur presioneve dhe represalieve të pushtetit, pasivizohen deri sa të vijë një pushtet i ri!

Shoqatat kulturore gabimisht mendojnë se janë ekskluzivisht për aktivitete dhe veprimtari kulturo-artistike! Shoqatat kulturore duhet të konceptohen si subjekte të lira e me të drejta absolute kulturore! Ato duhet të pasqyrojnë qytetarin, etninë, shoqërinë! Ato duhet të kenë fuqinë dhe të perceptohen si “pllaka tektonike” të një zone sizmike, të cilat për çdo moment mund t’i shkaktojnë tërmet fatal çdo pushteti e çdo sistemi politik! Duke qenë pararojë e lirisë dhe të të drejtave kulturore të qytetarit, këto shoqata duhet të shprehin edhe zërin qytetërues kundër pushteteve që mendojnë se me delegimin e të drejtave dhe të barazisë poshtë në bazë, do të humbin fuqinë e pushtetit! Këto shoqata kulturore duhet që ta ndërgjegjësojnë pushtetin dhe ta bindin se nuk është mbi shoqërinë për ta demonstruar fuqinë, por, mbi të gjitha, është si instrument teknik për t’ju ndihmuar qytetarëve që të vijnë sa më lehtë te liria, te e drejta dhe barazia e përgjithshme. Pra, edhe shoqatat kulturore duhet të kenë politikën e vet! Me punën dhe me sukseset e tyre në rrafshet e caktuara kulturore, ato duhet t’ia bëjnë me dije pushteteve se ekzistojnë dhe funksionojnë për ta mundësuar një baraspeshë në mes të politikave të pushtetit dhe politikave kulturore dhe se, deri sa të arrihet kjo baraspeshë e domosdoshme, të gjitha aktivitetet kulturore do të jenë formë e protestave politike kundër sistemit politik dhe qeverive të verbra!

Komuniteti i artistëve në Shqipëri që ishin kundër prishjes së Teatrit Kombëtar, u poshtërua e u rrah nga pushteti, u shantazhua, u fye. Artistët u tërhoqën zvarrë si thasë të grisur e, megjithatë, ia dolën që ta “dridhin” dhe ta sensibilizojnë një opinion të gjerë botëror për synimet e pushtetit. Efekti i këtyre protestave ishte mijëra herë më i fuqishëm se sa përkrahja politike që i erdhi pushtetit nga një “kastë aktorësh” lojalistë!

Shoqatat dhe individët kulturorë në Kosovë ishin iniciatorë dhe bartës të procesit për liri dhe pavarësi, për dëbim të okupatorit serb dhe për çlirim të vendit!

Po në viset e tjera etnike, cili është misioni i shoqatave kulturore? A mjafton vetë përpjekja që përmes aktiviteteve kulturore të ruhet identiteti kulturor apo të kërkohet imponueshëm që të jenë pjesëmarrës aktivë në vendimmarrje dhe në çdo proces që garanton lirinë dhe të drejtat kulturore, që ndikojnë në një barazi vlerash të “një shoqërie për të gjithë”! Shoqatat kulturore që shndërrohen në “servis votash” për pushtetin duhet të shuhen sa më parë. Drejtuesit e këtyre shoqatave që i themelojnë ato sa për interesa personale në emër të aktiviteteve kulturore, nuk janë asgjë tjetër përveçse matrapazë dhe tundës të dybekut të pushtetit!

Shoqatat kulturore, sikundër edhe shoqatat e tjera, duhet të jenë zëri i komunitetit dhe, për çështje konkrete, kanë të drejtë të flasin në emër të qytetarëve që i përfaqësojnë. Po ashtu, ndonëse kulturore, këto shoqata duhet të paraqesin edhe dorën e zgjatur politik të popullit, kulturën e të cilit e përfaqësojnë, dorë kjo që pa u trembur ka të drejtën e shpalosjes së dëshirave dhe nevojave etnike që burojnë nga e drejta universale për kulturë. Shoqatat duhet të jenë nën mbrojtje dhe nën përkrahje të partive gjegjëse politike si dhe të qeverive të mira, të cilat shoqatat i konceptojnë si partnerë të fuqishëm në ngritjen e kapaciteteve për shoqëri të barabartë dhe shumë stabile. Shoqatat kulturore nuk janë për t’i mbështetur programet partiake, as politikat inferiore të pushteteve, por janë subjekte që përmes politikave të qarta kombëtare synojnë barazinë dhe të drejtat kulturore që garantojnë jetë kulturore institucionale! Ky duhet të jetë synimi i çdo shoqate kulturore në viset tona etnike e jo fryrja si gjeldet nën sqetullat e partive politike. /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat