Tropoja lirike e frymëzimeve patriotike

Kultura

Tropoja lirike e frymëzimeve patriotike

Nga: Baki Ymeri Më: 1 mars 2022 Në ora: 16:06
Kopertina e librit

Poezia është dimensioni pastër që e ka çdo qenie njerëzore. I vetmi mesazh, i cili arrin në veshët e Zotit, është poezia. Poezia është ilaç i shpirtit, drita e fjalëve, mbretëresha e arteve, thesari i ndjenjave dhe një burim i frymëzimeve hyjnore. Poezia është çelësi për universin, shprehja më e bukur e lirisë dhe mrekullisë. Zyra Ahmetaj impresionon me retorikën dhe risinë e vargut. Poetja refuzon banalitetin, absurditetin dhe vulgaritetin. Gjithmonë e frymëzuar dhe tetalentuar, poezia e saj është dhurata e dhënë nga Perëndia. Gruaja është qendra e universit, kurse poeti është një dorë e Zotit e cila shkruan në Tokë. Poezia është një tempull i pavdekshëm. Poeti është profeti që hap dyert e qiellit. Mirazhi i poezisë jep jetë dhe fuqi, për çdo lloj arti. Ajo është dashuri, energjia shpirtërore, besimi, sinqeriteti dhe butësia.

Duke i lexuar me kënaqësi të veçantë vargjet e poeteshës Zyra Ahmetaj, konstatojmë se zëri i poezive të saj është një enciklopedi e veçantë atdhetare. Zëri i Atdheut të saj reflektohet me sintagmën: Një me Atdheun e kam shpirtin tim. Atdheu është figura qëndrore e krejt historisë sonë, që nga THoti - Perëndia që ka folë shqip, ka gdhendur simbolet e shkrimit, që i ka falur botës arkitekturën, matematikën, astrologjinë. Nga figurat tjera lirike, janë fëmijët, familja, miqësia, dhe sidomos tema e luftës së Kosovës është temë dominuse në krijimtarinë e Zyra Ahmetajt. Poezia është testament i jetës dhe dëshmi e dashurisë. Libri i saj përfaqëson një festë të shpirtit për lexuesit dhe adhuruesit e poezisë. Vargjet e poetes përbëjnë një përjetim të thellë estetik që manifeston sentimentin e lindur në mënyrë të natyrshme, një ndjenjë e bekuar që bashkon trokitjet e dy zemrave të gërshetuara me zjarr romantik. Në këtë kontekst, poetesha dhe lexuesi ralizojnë një binom brilliant për të receptuar intenzitetin e ndjenjave, thellësinë e përjetimeve, kuptimin e temave dhe sfondin ideatik që shëndrit në kuadrin e çdo poezie.

Kjo poete e talentuar tropojane ka një aktivitet të pasur letrar. Poezia e saj është ajo që ne duam dhe jemi duke kërkuar për njerëzit: diçka e ndritshme, që e ndjen dhe të jep frymë, diçka që na harmonizon dhe frymëzon. E zgjuar dhe e talentuar, lirikat e saj janë rezultat i meditimit dhe gëzimit shpirtëror. Mbi të gjitha janë esenciale, reflektimet ekzistenciale dhe përjetimet arkitektonike të mesazhit lirik dhe estetik. Poezia është rrëfimi më intim që qëndron në prehër të dashurisë. Sipas parashikimeve tona, Zyra Ahmetaj mund të konsiderohet Mbretëresha e Frymëzimeve Hyjnore. Poezitë e saj janë të mbështjellura në vellon e nusërimit. Poezia e saj është një pluhur yjesh dhe një burim i frymëzimeve që vijnë nga një ndjeshmëri e lartë dhe imagjinatë e fuqishme: Tu bëfsha lidhc e marhamë,/ ti mbshtjell flokët, dallg plot valë;/ ta lëmoj faqen e bardhë;/ përrreth gushës të shuaj mallë! (Moj e mira te bunari)

Poezia është një art i veçantë që i përmban dhe tejkalon të gjitha artet. Poetët janë ëndërrimtarë romantikë që e masin thellësinë e lumit, duke ndërtuar mbi të ura, ura të qëndrueshme. Dhe kur nuk ka ura, poetët janë kërkuesit, që me anijet e tyre kalojnë nga njëra anë në tjetrën. Poezia Zonjës Ahmetaj është çelësi për shpirtra të mëdha. Kush qëndron rreth tyre, mund të komunikojnë edhe me hyjnitë. Poezia e saj sjell shëmbëllen me lule borziloku me erëtimë dashurie. Poeti është mirësia e shpirtit të atij që krijon, për ata që e botojnë dhe për ata që e lexojnë. Nëse dëshiron të hysh në histori, duhet të jesh i lindur dy herë: një herë për shkak se je dhuratë e Perëndisë, dhe herën e dytë për të provuar vokacionin e poetit! Femrat tropojane ndërthurrin dhe endin trëndafila qiellorë në jetën tokësore. Dashuria e vërtetë qëndron vetëm në zemrat fisnike. Dashuria është ilaçi më i mirë, kurse poezia është një tempull. Fuqia e mendimeve dhe fuqia e dashurisë është si një ilaç që ju jep fuqi, shëndetin mendor dhe fizik.

Gjithmonë e talentuar dhe e frymëzuar, Zyra Ahmetaj na jep tekste këngësh të ndjeshme të gërshetuara me dashuri dhe atdhedashuri. Poezia e saj është një festërim me erëtimë fjalësh të ëndshme e të këndshme, të qëndisura me dashuri dhe me ndjenja të zgjedhura. Lirika e saj është një balsam, një shpërthim meditimesh e ndjenjash që e fisnikërojnë shpirtin e atij që ka lindur për dashuri dhe lumturi. Një lirikë sentimentale, rrëfimtare, e rrjedhshme, psikologjike, patriotike, meditative dhe filozofike, në të cilin thelbi lirik është pikërisht hiri i përhershëm i ndjeshmërisë së brendshme të autores. Zyra shkruan për përjetësi, për pika jeshile dhe pika të shenjta, për heshtjen dhe zërin e heshtjes, për degët që lëkunden mbi heshtje, për fletët e paharruara të harresës, për pragun e shpëtimit, për dëshirat dhe dritat e dhuratës, për botën e ëndrrave, për dimensionet kozmike, për balsamin e mendimeve, për kombin dhe atdheun, për fjalën dhe shpirtin.

Poeti ka një program të përcaktuar, duke rendur në rrugë të pashkelura, duke krijuar ura mbi lumenjtë e pikave rebele. Diskursi poetik i Zonjës Ahmetaj fokusohet në fusha të vendosura në afërsi ekzistenciale, ku të gjitha të dhënat e nevojshme për një ideal të lartë, atje ku profesioni i vërtetë i frymëzimit dhe besimit zotëron dhe del në pah. Duket se të gjitha përvojat e saj kanë kaluar përmes konceptit lirik të sajuar në një formë të përsosur të dashurisë dhe ndjeshmërisë. Një ton tepër i ndjeshëm i shoqëron këto tekste këngësh lirike. Del në pah sekuenca e stinëve dhe jeta e përjetuar me një ndjeshmëri të madhe sentimentale: Ah, kjo pikë; pikë e shenjtë,/ jeshilon veç për mua!/ Jeshilon, premtim i dhënë./ Do të vish? Sa shumë të dua! (Pika jeshile).

Zyra shkruan për hënën e vetmuar në qiell, për retë, për dragonin në mesnatë, për babëgjyshin, për ëndërra të realizuara dhe të parealizuara, për jetën, për vdekjen, për dëshirat, për anatominë e dashurisë, për ëndërra dhe zhgjëndra, për melankoli dhe nostalgji, për dritën, për mënyrën se si ajo depërton gjatë rrjedhës së kohës, për gjallërimin dhe për shpirtin mistik kur engjëjt apelojnë për dashuri dhe paqë planetare e universale, për ritmet e kohës, duke kërkuar një mënyrë të veçantë të jetesës, për të kuptuar vetminë dhe hapat që vijnë me zërin e zemrës. Poetja shkruan në emër të vetëdijes së saj lirike dhe estetike. Ajo qëndis vargje me ndjeshmëri dhe brishtësi, me formë dhe me elegancë, duke krijuar ura shpirtërore, duke dalë nga tuneli ekzistencial që na është dhënë për ta gjykuar. Por mjerisht, sa prej nesh e bëjnë këtë performancë? Pyesim veten se si nuk i kemi braktisur tunelet, sepse pas një tuneli vjen një tjetër. Zyra Ahmetaj është një shpirt i veçantë dhe i ndjeshëm, një qenie fisnike, një dhunti shqiptare që dashuron, që psherëtin, që nuk qan, që e përjeton jetën duke qeshur, një shpirt i lindur për metafora të bukura lirike.

Fjala e frymëzuar është gjithçka që krijon mirësi në mendjet tona. Mirazhi i poezisë i jep jetë dhe fuqi çdo lloj arti. Mbi të gjitha qëndron dashuria, energjia shpirtërore, besimi, sinqeriteti dhe butësia. Poezitë e Zonjës Ahmetaj shkëlqejnë nga sinqeriteti i fjalës përmes lirizmit që ata e përmbajnë. Poezia është arti suprem. Qëllimi i saj është për të vënë dashurinë mbi gjithçka, sepse dashuria është ajo që e vërtit botën dhe t’i zgjon të gjitha energjitë. Jeta është e shkurtër, shija është e gjatë. Jeta kalon, librat mbeten. Një shtëpi pa libra është si një bankë pa para, si një librari pa rafte librash, si një ushqim pa shije, si një grua pa një burrë, si një burrë pa një grua, si një pemë pa fryte, si një kopsht pa lule. Lulet janë buzëqeshja e Zotit në tokë, kurse jeta që e përjetojmë duhet të jetë romantike dhe poetike. Me rëndësi është të lexosh, të mësosh, të meditosh, të krijosh miqësi dhe dashuri, të krijosh poezi me energji ekspresive, të ndritshme dhe të gjallë.

Dashuria është një dhuratë supreme, e cila është fuqia më e madhe në univers. Poeti është profeti që hap portat e qiellit. Poezitë e Zonjës Ahmetaj janë një model ndjeshmërie, një shpërthim i një arome që e mobilizon lexuesin për njohuri, për të deshifruar misterin e mendjes dhe të shpirtit. Poezitë e saj janë të mahniteshme. Ato të befasojnë në një mënyrë të këndshme dhe elegante, përmes aftësisë së ndijimit dhe imagjinatës. Nëpërmjet finesës dhe romancës, autorja din të krijojë në të gjitha poezitë e saj, një gjuhë të veçantë lirike, një stil të pakontestueshëm, duke realizuar unitetin e poezisë, duke provuar të jetë një krijues i vërtetë i mesazhit lirik. Poezia e Zyra Ahmetajt dallohet nga reflektimi i thellë i pozicionimit në botën e jashtme, si dhe në universin e brendshëm. Ajo na dhuron lirika me cilësi të lartë. Poezia e saj dallohet për bukuri dhe për thellësi. Zyra Ahmetaj nuk është poetja e mahnitjes ose e heshtjes. Ajo është poetesha e lumturisë, një dhuratë hyjnore me një buzëqeshje pranverore. (Bukuresht, Mars 2022)

BURIME BIOBIBLIOGRAFIKE

Zyra Ahmetaj u lind më 25prill 1956 në fshatin Kepenek, Lokaliteti Bytyç-Tropojë. Mbaroi Shkollën e Mesme Bujqësore në Tropojë më 1975. Duke u kthyer nga aksioni kombëtar në Metalurgjik të Elbasanit, si pasojë e një aksidenti automobilistik, dëmtoi rëndë shtyllën kurrizore, duke u detyruar të vazhdojë rrugën e pandalur të leximit dhe studimit në mënyrë private. Ka botuar këto libra me poezi.


-Fluturojnë Ëngjëjt në vitin 2004.
-Alfabeti ynë në vitin 2015.
-Plisi Shqiptar në vitin 2016.
-Ndrit Shandan në vitin 2017.
-Ngjyra Janari në vitin 2018.
-Kështjellë dhe Lëndinë në vitin 2019.


Ka botuar një libër me poezi të zgjehura të saj të përkthyer në Italisht në vitin 2020 të titulluar Kështjellë në Lëndinë. Ka botuar edhe një libër me poezi të saj të zgjedhura të përkthyer në Greqisht në vitin 2022. Është bërë pjesë potente e shumë antologjive poetike. Ka botuar nga poezitë e saj, në gazeta dhe revista të ndryshme. Ka fituar çmime të ndryshme në konkurse poetike. Ka disa libra në redaktim dhe pregatitje për botim, tashmë edhe në prozë si dhe një libër studimor për etnosin kulturor të rrethit Tropojë. Është aktiviste shoqërore, e zgjedhur drejtuese e Shoqatës Para dhe Tetraplegjike të Shqipërisë për Qarkun e Kukësit si dhe në shoqata të tjera intelektualësh invalidë të vendit, etj. Është nderuar me Titullin "Krenaria e Qytetit të B. Currit", nga Këshilli Bashkiak i këtij Qyteti në vitin 2005.

Zyra është nderuar me titullin "Qytetare Nderi i Komunës së Tropojës” në vitin 2007. Ka krijuar grup artistik folku, me të cilin ka fituar Çmimin e dytë në Festivalin Folklorik organizuar nga Kisha Ortodokse Shqiptare në vitin 2007. Ka realizuar disa klipe këngësh folklorike, balada, ninull dhe një këngë kreshnikësh me lahutë, të kënduara në mënyrë amatore, me tekste të krijuara vetë shumicës së këngëve.

Zyra Ahmetaj përkrah talentet e reja kulturore. Ka kontribuar në etnosin kulturorë të rrethit Tropojë, me koleksione rrobash kombëtare si dhe krijimin e një arsenali të plotë me kostume të reja kombëtare të zonës së vet. Ka kontribuar edhe në studimet që i jan bërë Eposit të Kreshnikëve, duke ditur shumë legjenda prej tij të përcjella në breza në familjen e saj. Ka kontribuar në përvetsimin e Gjuhës Angleze si kordinatore vullnetare në projektin e saj në bashkpunim me KOASH-në, dhe mësueset e anglishtes, nga dy grupe nxënësish për 7 vite, që nga viti 2004 deri më 2011. Bashkpunon me shumë shoqata të aftësisë ndryshe dhe shoqërore.

PRINCESA JONË MBI FRONE ALPESH

Ti fluturon mbi maja me shqiponjat,

ënderrimesh , rudinash e livadhesh,

ti je princesha poete mbi frone alpesh,

guxmshëm çan e nuk ndalesh..

Ti i the kohës, mike po vrapoj,

sfidove jetën e nuk pate gajle,

ti i the ditës, më fal po nxitoj,

natës i the, në daç pas meje hajde !

Ti je poete, heroina mbi fatin,

robinë e vuajtjes kurrë nuk ke ra,

ti fluturon mbi fjalën edhe vargun,

si një Teutë, hirushe mbi kala!

Ti mbi Valbonë, Kollatë e Shkëlzen,

shkelqen me frymën edhe shpirtin plot vyrtyt,

një falmeshendet si puhizë deti po të vjen,

prej Fieri, po ta nis , i vuajtjeve, poet vëllai yt!

Fran Ukcama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat