Kruja mesjetare në udhëpërshkrimet e udhëtarëve të huaj

Kultura

Kruja mesjetare në udhëpërshkrimet e udhëtarëve të huaj

Nga: Dorian Koçi Më: 21 shtator 2022 Në ora: 18:36
Tablo e mureve të jashtme të Krujës nga Edward Lear

Kruja do të mbetet në kujtesën europiane si simbol i rezistencës antiosmane. Si e tillë ajo nuk do t’i shpëtonte vëmendjes së udhëtarëve të huaj që vijnë në Shqipëri në gjysmën e shekullit të XIX. Një nga udhëtarët e parë evropian që e viziton në 1848 është Edward Lear, udhëtari dhe peizazhisti britanik. Pas vizitës në Tiranë, gjatë rrugës për në Shkodër ai ndalon në Krujë. Pritja që i bëhet atij në Krujë nga qeveritari Ali Beu është e denjë si një pritje aristokratike në çdo vend tjetër, madje në të ka dhe gjurmë qytetërimi pasi “i interesuar të mësonte ca më shumë nga Evropa, djaloshi zyrtar i Krujës e pyeti për anijet pa vela e karrocat pa kuaj”.[2] Prej Lirit kemi disa tablo dhe skica të mureve të jashtme të Krujës por jo dëshmi të godinave të qytetit të Krujës.

Një vizitë e një diplomati të huaj, konsullit francez të Shkodrës A. Degrand në 1901 na ka lënë një dëshmi të rëndësishme të Krujës mesjetare. Në vitin 1901 ai botoi një udhëpërshkrim, ku tregonte dhe për dy kambana, që ishin të lëna në mëshirën e fatit në rrënojat e kishës brenda mureve rrethuese të kështjellës së Krujës. Njëra nga këto ishte bashkëkohëse me epokën e lavdishme të Gjergj Kastriotit, e derdhur në bronz në vitin 1462 (MCCCCLXII), me përzierje metalesh të çmuara. Menjëherë u vunë në lëvizje tregtarët e relikteve e antikuarëve, por fatmirësisht këtë relikte të çmuar që iu trashëgua shqiptarëve si shenjë i epokës së lavdishme të tyre e bleu i mirinformuari Shtjefën Gjeçovi, i cili më pas e skicoi, (vizatim në dy pamjet, që ruhet në AQSH, Tiranë ku ruhet fondi i tij arkivor).

Pas peripecish të shumta kjo kambanë gjendet në Muzeun e Krujës, dhe është ndër objektet më me vlerë të këtij Muzeu. Këtë kambanë e ka dëgjuar dhe Skënderbeu (pasi është e asaj kohe) dhe mendohet se ajo i përkiste Kishës së Shën Andreas. Nuk është fort e qartë nëse Shën Andrea ishte shenjti mbrojtës i Krujës siç dimë për Shkodrën që është Shën Stefani, por me siguri ka qenë një nga kishat kryesore të Krujës.

Image
Këtë kambanë e ka dëgjuar dhe Skënderbeu
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat