U mbajt promovimi i dy romaneve të Zejnullah Rrahmanit

Kultura

U mbajt promovimi i dy romaneve të Zejnullah Rrahmanit

Nga: Ahmet Pllana Më: 24 shtator 2022 Në ora: 00:39
Ahmet Pllana

Me rastin e 70-të vjetorit të lindjes së shkrimtarit Zejnullah Rrahmani, në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, të premten, më 23 shtator 2022, u promovuan dy libra të sapobotuar, përkatësisht dy romane të këtij autori, njëri me titull “Djemtë e Ballofcit” dhe romani tjetër me titull “Deti i Zi”.

Në promovim morën pjesë shumë personalitete të arsimit, shkencës, artit dhe kulturës, ndërsa organizatorë të këtij promovimi ishin Shtëpia Botuese “Faik Konica” nga Prishtina dhe Shtëpia Botuese “Onufri” nga Tirana. Promovimin e moderoi shkëlqyeshëm moderatorja Mimoza Hasani Pllana.

Për dy romanet e Zejnullah Rrahmanit, “Djemtë e Ballofcit” dhe “Deti i Zi” referuan Ali Aliu, Sabri Hamiti, Nysret Krasniqi, Xhavit Beqiri, Bujar Hudhri, Avdi Visoka, Meliza Krasniqi, Kujtim Rrahmani, Kujtim Shala dhe Nazmi Rrahmani.

Në fund foli edhe autori i dy romaneve të sipërpërmendura, Zejnullah Rrahmani, i cili përshkroi kohët dhe rrethanat, madje edhe ato familjare, për shkrimet e tij letrare. Në fund të promovimit për pjesëmarrësit u mbajt një koktej nderimi në holin e Bibliotekës. /Ahmet Pllana

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat