Ionia dhe grotesku në demaskimin e madhështisë së rreme

Kultura

Ionia dhe grotesku në demaskimin e madhështisë së rreme

Nga: Fran Lleshi Më: 10 janar 2026 Në ora: 10:56
Libri

Në romanin “Klasiku i pestë, shkrimtari Ndue Dedaj vjen me një prurje letrare, ku pushteti, i etur për përjetësi, shfaqet si një iluzion i brishtë, i mbështjellë me retorikë dhe dhunë.

Titulli intrigues është një metaforë ironike: “klasiku” si autoritet i kanonizuar, ndërsa “i pestë” si rend i imponuar, një shtesë artificiale në panteonin e ideologjisë.

Kështu, romani nis si një akt demistifikues, ku letërsia zbërthen mitin e përjetësisë së shpallur.

Personazhet si figura retrospektive si:

- Arsen Petrela - intelektuali i formuar në Bashkimin Sovjetik, i dënuar dhe i burgosur, është figura e njeriut që e paguan me jetën e tij përplasjen mes idealit dhe realitetit.

- Justina Mazreku - gruaja e tij, pedagoge dhe etnografe, bart dhimbjen e heshtur të familjes së shkatërruar, duke u bërë simbol i vuajtjes së përbashkët.

- Feriku dhe Odisea - zërat ironike të kohës, që guxojnë të tallen me klishetë e udhëheqësit, por përfundojnë të dënuar.

- Bib Dod Orosi dhe i biri, Nika - drama e brendshme e familjes, ku dhuna e kohës shndërrohet në tragjedi personale.

Këta personazhe nuk janë thjesht figura narrative, por gurë kujtese, që mbartin absurditetin e një epoke ku pushteti kërkonte të bëhej mit.

Në atmosferën ku zhvillohen ngjarjet, Dedaj e përshkruan peizazhin si trup të plagosur:

“Mali i zhveshur, me brinjët e dala jashtë, i ngjante skeletit të një dinozauri gjigant.”

Ky imazh është metaforë e shkatërrimit të natyrës dhe shpirtit njerëzor. Kufomat e mbajtura deri në fund të dënimit, arratisjet e dështuara, revoltat e flamurit - të gjitha krijojnë një narrativë rrëqethëse, ku absurdi bëhet ligj.

Absurditetet e përjetësisë së shpallur, konsistojnë në shkatërrimin e besimit dhe kulteve fetare.

- Dënimet e kota politike në ushtri, art e ekonomi.

- Keqtrajtimin e të burgosurve dhe familjeve të tyre, si përdhunimi i Justinës nga operativi Hetem Borani etj.

- Ndërthurja e reales me absurden.

Ngjarjet, ndonëse të rrënjosura në një realitet historik të njohshëm, rrëshqasin shpesh drejt absurdit kafkian, ku burokracia, kultet dhe ritualet ideologjike marrin përmasa teatrale e groteske.

Një episod i veçantë është “Buletini”, dokument fantazmagorik që shfaqet si breshër i rrallë, duke demaskuar vigjilencën e sëmurë revolucionare. Humbja e tij sjell dënim dhe turp, ndërsa marrëdhënia intime e Shokut Sefer me Bulen ngatërron jetën personale me detyrën.

Romani është një pasqyrë e kohës ku pushteti kërkonte të ngrihej në mit, por letërsia e Dedajt e zbërthen si iluzion. “Klasiku i pestë” nuk është vetëm një figurë, por një tipologji: udhëheqësi që kërkon të shndërrojë pushtetin e përkohshëm në doktrinë të përjetshme.

Në frymën meditative, romani i shkrimtarit Ndue Dedaj, mbetet një kujtesë e dhimbshme, për absurditetin e përjetësisë së shpallur.

Ai na rikujton se pushteti, sado të kërkojë të bëhet mit, mbetet i përkohshëm, ndërsa letërsia ka fuqinë ta shndërrojë në metaforë kritike, në kujtesë retrospektive, në reflektim për njeriun dhe kohën.

Vihet re se ironia te “Klasiku i pestë” është e qetë, e vazhdueshme dhe strukturore: ajo nuk shpërthen, por gërryen, duke e çuar lexuesin drejt përfundimit se pushteti që kërkon të bëhet mit, përfundon i demaskuar nga vetë ambicia e tij.

Në përfundim, romani Klasiku V i Ndue Dedajt na kujton se ironia dhe grotesku janë mjete të fuqishme për të demaskuar madhështinë e rreme të pushtetit, për të zbuluar absurditetin e ideologjisë dhe deformimin e jetës nën diktaturë.

Ky roman shënon një hap cilësor në prozën shqiptare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat