Në përpjekjet e vazhdueshme të bëra nga kleri katolik shqiptar për progres në kushtet e pushtimit osman, një rëndësi të veçantë ka pasur puna për të mbajtur gjallë shkrimin dhe gjuhën shqipe, si dhe mësimin e saj në librat e shkruar në gjuhën tonë. Kjo gjë duket më së miri në punën e tyre vetëmohuese për botimin e librave kishtarë që t’i përdornin klerikët në predikimet e tyre te besimtarët shqiptarë. Por, mbi të gjitha, ata synonin që ky mision të realizohej nëpërmjet shkollave, ku fëmijët shqiptarë të mësonin në gjuhën kombëtare. Për këtë qëllim kleri katolik, në mënyrë të vazhdueshme, i ka kërkuar Selisë së Shenjtë që të ndihmonte hapjen e shkollave shqipe në Shqipëri. Kisha Katolike Shqiptare, në rrugën e përndritur të krijimit dhe të evidentimit të vlerave të pashtershme dhe shumëplanëshe në rrafshin e kulturës, vijoi përpjekjet në fushën e gjuhës dhe arsimit. Kjo gjë vjen mjaft qartë te ne nëpërmjet relacioneve kishtare që kanë dërguar ipeshkëvinjtë shqiptarë për Propagandën Fide në Romë.
Ipeshkëvi i Arbërit, Gjon Koleci, në vitin 1625, duke relatuar gjendjen në dioqezën e tij, kërkon dhe e sheh si të domosdoshme hapjen e shkollave shqipe:
“Do të duhet që të ngremë një shkollë, ose dy, me nga dhjetë ose dymbëdhjetë djem secila. Këtu do të mësonin këndim e shkrim dhe themele të mira të besimit, dhe pastaj do të mund të dërgoheshin me u përsosë në kolegjet e Shtëpisë së Shenjtë të Loretos, sepse këtu do të nxirrej fryt i mrekullueshëm n’ato vende ku s’ka shkolla as mësues që të mësojë farë gjaje. Dhe këto shkolla mund të baheshin: njena po në shtëpinë e ipeshkëvit të sipërthanun dhe tjetra, ku ma mirë të gjendej vendi më i përshtatshëm.” (1)
Gjatë shekullit XVII, shkolla ka pasur edhe në Velë e në Blinisht. Gjuha e mësimit ishte italishtja, të cilën nxënësit e përvetësonin me anë të shqipes, asokohe, sigurisht, edhe me anë të librave që kishte botuar Pjetër Budi (1616–1621), por edhe me ndonjë tekst shqip të panjohur, të krijuar nga ndonjë klerik tjetër. Mësohej edhe latinishtja, gjuha e kultit. (2)
Koleci kërkon të hidhen në Shqipëri themelet e arsimit, do të thoshim të ulët dhe të mesëm fetar, me pak nxënës, që të ndiqnin pastaj arsimin e lartë në Itali, në mënyrë që të ktheheshin dhe të bënin punë për shtimin e klerit të shkolluar në Shqipëri. Pas disa vitesh, më 1633, Pjetër Mazreku, Plaku, Arqipeshkëv i Tivarit, do të kërkonte nga Vatikani çeljen e një kolegji në arqipeshkëvinë e tij, por pa rezultat. Prova e parë për një kolegj katolik në Mal të Zi të Shkupit, më 1589, me sa duket kishte pasur një jetë shumë të shkurtër.
Është thënë se shkolla e Kurbinit (nr. 85) u çel më 1632, por kjo nuk është e sigurt. Ajo vazhdon punën më 1641, përherë në shtëpinë e ipeshkëvit dhe me 12 nxënës të rritur (xhakoj), të cilët Mark Skura, tani arqipeshkëv i Durrësit, thotë se “i ushqen me mjetet e veta, të cilët do të shugurohen meshtarë kur të vijë koha”, d.m.th. kur të arrijnë 24 vjetët (relacioni II, 241). Nuk përcaktohet qartë vendi, por mund të ketë qenë katundi i Gallatës, në mal, ku sipas Fjalori Enciklopedik Shqiptar (f. 304), në Mesjetë kishte një shkollë të mesme, të cilës ende i shihen rrënojat. Shkolla punon edhe më 1703 ( Kuvendi i Arbrit, f. 108 ). (3)
Këto kërkesa të herëpashershme të klerikëve katolikë bënë që, gjithsesi, në qendra të mëdha e të vogla, me shumë përpjekje dhe vështirësi, të hapeshin disa shkolla në të cilat mësonin nxënës që kryesisht ndiqnin rrugën e kishës. Vincens Malaj, në lidhje me mësimin, shkruan: “Nismëtarët e hapjes së shkollave ishin meshtarët dhe rregulltarët françeskanë. Shkollat ndodheshin pranë kishave, kuvendeve ose banesave të misionarëve, ku mësoheshin, së bashku me doktrinën e krishterë, elementet e shkrim-këndimit.” (4)
Dhe njëra ndër pionieret më të hershme të arsimit në vendin tonë, e dokumentuar tashmë prej shumë burimeve historike, ishte Shkolla e Velës, e hapur në vitin 1632. (5)
Donat Kurti, në një studim të botuar te Hylli i Dritës më 1935, flet për të parën shkollë shqipe në vitin 1638. Si të parat shkolla, “për sa dimë na”, ai përmend “tri: shkolla e Pëdhanës (lexo: Pllanës), e Blinishtit dhe e Shkodrës”. Për të parën thotë se është hapur më 1638.
Ndërsa studiuesi amerikan Edwin Jacques, në librin e tij të njohur The Albanians: An Ethnic History from Pre‑Historic Times to the Present, i çon shkollat e para shqipe pak më përpara në kohë, në vitin 1632.
“Shkolla e parë, e dokumentuar, në gjuhën shqipe u hap në Velë të Mirditës më 1632”, shkruan ai. Por kjo nuk ishte e vetmja. Sipas tij, “një tjetër shkollë mjaft e hershme ishte hapur në Kurbin më 1632. Përveç shkrimit e leximit, aty mësohej gramatika shqipe dhe përdoreshin librat e Frang Bardhi, Pjetër Budi e Pjetër Bogdani”. Historiani E. Zhak shton se edhe të tjera u hapën “në Pllanë, një fshat afër lumit Mat, më 1638, në Troshan më 1639 dhe në vetë qytetin e Shkodrës më 1698”. Autori përmend disa prej mësuesve që shërbyen në këto shkolla. Tërheqin vëmendjen mbiemrat e tyre: Shqiptari (Gjon), Shkodrani (Filip) dhe një i tretë, Dhërmiu (Dhimitër), i cili, me sa duket, ishte prej një krahine jugore të vendit, nga Dhërmiu.
Giovanni Battista Sospello më 1650 shkruan se në Shqipëri, sidomos në viset e Lezhës e të Mirditës, si dhe në ato të Krujës dhe të Kurbinit, ndër të tjera ai përmend posaçërisht Pëdhanën (Pllanën) dhe Zejmenin, por edhe Kthellën e Ndërfanën, si dhe Bushneshin këndej lumit Mat. Në të gjitha këto vende, “duke u mësuar (edhe) fëmijëve këndim e shkrim dhe disave gramatikë” (nr. 124). Me gramatikë kuptohej shkollimi i mesëm, ndërsa kolegji ishte për mësimin e lartë të teologjisë dhe filozofisë. Predikimin në popull dhe mësimin e katekizmit, d.m.th. të doktrinës, ata e bënin gjithashtu shqip (nr. 125). Si tekst mund të përdornin librat e Pjetër Budi, i cili kishte njohur dy botime (më 1618 dhe 1636). (6)
Në shekullin XVIII nga shtypshkronja e Propaganda Fide dolën vetëm tri vepra në shqip, më 1706, 1716 dhe 1743. (7)
Vatikani do të niste të aktivizohej më seriozisht për botimet në gjuhën shqipe vetëm më 1842. Është koha kur katolikët e Shqipërisë i merr nën “mbrojtje” Austro‑Hungaria, ndërsa synimet e kësaj fuqie rriteshin në Lindje. (8)
Tirazhi ishte i kufizuar, që kur Pjetër Bogdani i mori librat me vete për në Shqipëri, me qëllim që t’i shpërndante kudo. (9)
Dihet se ai pati shërbyer në Zadrimë, Mirditë e Kosovë. Vdiq më 2 prill 1692.
Më pas u çelën shumë shkolla të tjera. Shkodra, më 1878, pra një dhjetëvjeçar para “shkollës së parë shqipe” të dokumentuar zyrtarisht si të tillë nga regjimi komunist, në qytetet veriore shqiptare e deri në Durrësi, siç nënvizon studiuesi amerikan, “kishte 21 shkolla të tjera fillore shqipe që zhvillonin veprimtarinë e tyre”. Ai sqaron se secila prej këtyre shkollave kishte rreth tridhjetë nxënës, përveç asaj të Prizreni, e cila kishte tetëdhjetë.
Për arsye të njohura historike, këto shkolla fillimisht u hapën në rrethina, sepse në Shkodra, dhe në përgjithësi në qytete, pushtuesi kishte kontroll të fortë e të përqendruar, dhe kjo e vështirësonte deri në pamundësi hapjen e një shkolle shqipe.
Shkollat ishin fetare, katolike. Kjo përmasë ishte e kuptueshme për kohën; nuk mund të ishte ndryshe. Katolicizmi përfaqësonte fenë e parë të shqiptarëve. Në ato kushte, sidomos kur nëpërmjet trysnive për ta ndërruar fenë, pushtuesi synonte deri në asimilim. Mund të thuhet se katolicizmi ishte pjesë qenësore e identitetit shqiptar dhe përfaqësonte kulturën dhe qytetërimin perëndimor. Edwin Jacques citon një klerik françeskan shqiptar të quajtur Leonardo (Franciscan cleric), i cili, lidhur me thelbin e këtyre shkollave, pohon: “Ne jemi më shumë misionarë të qytetërimit sesa të fesë”.
“Në shek. XVII, klerikët mirditorë, pas përpjekjeve të shumta, kishin arritur të hapnin një shkollë të ulët në Velë të Mirditës, e cila funksionoi si e tillë për disa vjet rresht”, (10) pohon studiuesi Jup Kastrati.
Të së njëjtës periudhë kemi edhe shkolla të tjera, dhe në të njëjtën kohë daton edhe shkolla fillore në Kurbin, më 1632. Vetëm pak vite më vonë, më 1638, kemi të dokumentuar shkollën e Bdhanës, e cila më 1648 u shkatërrua barbarisht prej turqve. Pas një viti ajo u përtëri, për t’u mbyllur më 1675 dhe për t’u rihapur rishtas në vitin 1697.
Në vitin 1639 kemi shkollë fillore në fshatin Blinisht. Kjo shkollë më vonë u ngrit në nivelin e shkollës së mesme pranë një kuvendi françeskan, me drejtor Karl Mirandulani, dhe kishte më shumë se pesëdhjetë nxënës, kryesisht zadrimorë. Mësimi zhvillohej në gjuhën e vendit. (11) Po ashtu, shkollë fillore hapi Dom Filip Shkodrani në shtëpinë e Kolë Kamsit, në vitin 1689, në Toplanë. (12)
Shkolla të tilla ishin hapur edhe në Korça, në vitin 1637. (13)
Në vitin 1671 hapet një shkollë shqipe në Janjeva nga xhaxhai i Pjetër Bogdani, Andrea Bogdani. Prof. Hajrulla Koliqi, autor i veprës Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, e jep vitin e hapjes 1665, me mësues Pjetër Mazreku, që u pasua më tej nga Vincens Mataviqi, Gjon Bogdani etj. Shkolla e Janjevës ishte shkolla e parë shqipe e hapur në Kosovë, e pranuar edhe nga Vatikani. (14)
Por le të rikthehemi te shkolla e Velës. Në relacionin e vitit 1671 lajmërohet për ekzistencën e një shkolle në Mirditë, mësues i së cilës ishte Nikoll Vladanji, nxënës i Kolegjit të Fermos. Kjo shkollë, me sa duket, u mbyll përkohësisht shpejt, pasi në vitin 1685 thuhet përsëri se në të gjithë dioqezën nuk kishte asnjë shkollë dhe asnjë mësues. Vetëm në vitin 1751 lajmërohet nga Propaganda Fide se funksiononte një shkollë në Velë, në rezidencën ipeshkvnore. Kjo shkollë pati jetë të gjatë.
Për këtë shkollë, Kolec Çefa, në kumtesën e tij “Në zanafillat historike të arsimit tonë në trevat veriore deri në shek. XVII”, shkruan: “Në këtë shkollë, që e qujshin me krenari gjimnaz, mësohej shkrim e lexim, italisht e latinisht. Shkolla subvencionohej nga Propaganda Fide dhe duhej të përgatiste 6–7 konviktorë (1753).” (15)
Në vitin 1798 shkolla mund të jetë mbyllur, sepse në këtë kohë Kongregacioni i Propaganda Fide u shpërbë dhe, rrjedhimisht, nuk përmendet më asnjë pagesë. Por më 1800 u hap përsëri, pasi në një mbledhje dioqeze ishte vendosur që të gjithë klerikët të dëshmonin se do ta mbanin duke dhënë një taksë të veçantë (1804). (16)
Në relacionin e Vinçenc Zmajeviç lexojmë se mësues në Velë u caktua: “…D. Pal Xiuppa, më i afti ndër të tjerët në këtë dioqezë, të cilit nga vizita iu dha detyra me hapë shkollën e Velës, me mbajtë dy klerikë me ushqim e me u bërë mësim të njëjtëve e çdo tjetri që don me e frekuentue”.
Një burim tjetër është edhe relacioni i ipeshkëvit Anton Kryeziu më 1753 (17):
“Në Velë më 1753 kishte 128 shtëpi me 982 frymë. Atje gjendej rezidenca e kryeipeshkëvit dhe zyra e famullitarit. Ipeshkëvi vetë, Kryeziu, jep mësim feje dhe predikon në ditë festash. Bashkëpunëtori i tij ishte Mark Xiupa, 52 vjeç, që dinte italisht dhe dinte të shkruante, si dhe Anton Stampaneo, 36 vjeç, që dinte pak italisht, por jo të shkruante. Në Velë gjendej edhe e vetmja shkollë për brezin e ri kishtar në dioqezë. Ajo qe ndërtuar nga Propaganda Fide dhe kishte 6–8 nxënës dhe një mësues. Mësuesi i parë ka qenë Pjetër Bianku, që u bë më vonë abat i Mirditës. Ai kishte mjaft dijeni në latinisht dhe në italisht. Ipeshkëvi e mbante Biankun ndër më të aftët klerikë në të gjithë dioqezën. Pasardhësi i tij ka qenë Mark Guga prej dioqezës së Shkodra, i cili kishte studiuar në Ragusa (Dubrovnik) dhe në Dalmacia me shpenzimet e familjes së tij.” (18)
Kryeziu thekson në relacionin e tij rëndësinë e shkollës:
“Përballë padijes së madhe të klerit, që dëshmohej edhe gjatë vizitës, një shkollë e tillë ishte e domosdoshme dhe me rëndësi të veçantë. Sipas lajmeve vjetore, aty studionin gjashtë të rinj dioqezanë (Jak Stampaneo, Gjon Cura, Gjerard dhe Anton Xiupa, Zef Trashi, si dhe Gjon Bianku). Veç këtyre, ipeshkëvi kishte edhe katër të rinj të tjerë në shtëpinë e vet, të cilët ai i përgatiste për karrierë kishtare. Mësimi zhvillohej në shkollë, të cilën me krenari e quanin gjimnaz. Jepeshin këto lëndë mësimore: lexim e shkrim, italisht e latinisht.” (19)
Për kontributin e Kishës Katolike për kulturën dhe dijen flet edhe i madhi Eqrem Çabej, kur shkruan se:
“Këtyre rrethanave u shtohet edhe puna dhe qëndrimi i benediktinëve dhe i domenikanëve në Shqipëri në periudhën paraturke, dy urdhra fetarë që kanë themeluar vatra kulture e shkrimi kudo ku kanë shkuar.”
Një aspekt tjetër mjaft i rëndësishëm është se në shkollat që funksionuan në territorin e vendit tonë, në Mirditë apo edhe në trevat e tjera, mësonin nxënës vendas.
Shkolla e parë e lartë shqipe daton të paktën në vitin 1877, kur dokumentohet Kolegji i Shën Françesk Saverit, i cili pajiste me njohuri tregtare e teknike rreth 400 studentë. Dokumentohet kjo datë, por nuk dihet me siguri; mund të ketë qenë hapur edhe më parë.