Kur u ktheva në Pejën time

Kultura

Kur u ktheva në Pejën time

Nga: Neki Lulaj Më: 26 maj 2026 Në ora: 23:29
Neki Lulaj

Vendimi për tu këthyre definitivisht erdhi mbi mua si një letër e vonuar. Kishin kaluar shumë vite prej kur isha larguar nga Peja,por kishte net kur më dukej se ende dëgjoja zhurmën e Lumbardhit poshtë dritares së vjetër të shtëpisë sonë. Në qytetet e huaja ku kisha jetuar, njerëzit ecin shpejt dhe nuk kthejnë kokën pas. Veç unë kthehesha gjithmonë. Jo me trup — me mendje.

Më merrte malli për gjërat më të vogla. Për avullin e flisë që dilte herët në mëngjes. Për erën e druve të djegura dimrit. Për zërin e ezanit që përzihej me kambanat larg. Për ato rrugë ku dikur vraponim zbathur pa e ditur se një ditë do të iknim aq larg sa edhe kujtimet do të na dhembnin.

Kur autobusi hyri në Pejë, zemra më rrihte si atëherë kur ktheheshim fëmijë nga ndonjë udhëtim i shkurtër dhe mezi prisnim të shihnim oxhakun e shtëpisë. Qyteti kishte ndryshuar. Kishte ndërtesa të reja, kafene të mbushura me të rinj, drita më shumë se dikur. Por unë nuk kërkoja qytetin e ri. Unë kërkoja hijet e jetës sime të vjetër.

Zbrita ngadalë. M’u duk sikur toka më njohu menjëherë. Era e Rugovës më preku fytyrën si dora e nënës kur zgjon fëmijën nga gjumi.

Ecja rrugëve dhe më dilnin përpara kujtime të harruara. Këtu dikur kishim blerë akullore me shokët. Këtu ishte rrëzuar biçikleta ime e parë. Këtu babai më kishte mbajtur për dore një dimër me borë. Çdo gur i qytetit dukej sikur ruante diçka timen.

Në mëngjes dola pranë një shkolle. Fëmijët po hynin për herë të parë në klasë. Një vajzë e vogël po qante dhe mbahej fort pas nënës. Për një çast m’u duk se pashë veten time aty — një fëmijë i trembur me flokë të çrregullta dhe me ëndrra të vogla në xhep.

Desha t’i merrja të gjithë ata fëmijë për dore e t’u thosha:
“Mos u ngutni të rriteni. Një ditë do t’ju marrë malli edhe për këtë oborr.”

Pastaj shkova në një shtëpi ku piqej flia. Gratë shtonin petët një nga një, ndërsa zjarri kërciste nën saç. Era më goditi drejt në zemër. Nuk ishte thjesht erë ushqimi. Ishte era e fëmijërisë. Era e netëve kur mblidheshim të gjithë rreth sofrës dhe babagjyshi tregonte rrëfime të vjetra, ndërsa ne luftonim gjumin vetëm për ta dëgjuar edhe pak.

Njëra nga gratë më pa gjatë.

— Të kam parë diku, — tha.

Qesha lehtë.

— Ndoshta kur kam qenë fëmijë.

Ajo uli sytë.

— Ah… atëherë të gjithë kemi qenë më të lumtur.

Ato fjalë më mbetën si gur në kraharor.

Ditët tjera u ngjita maleve të Rugovës. Bariu që më printe ecte ngadalë pas qengjave. Qentë e Sharrit rrinin krenarë mbi kodra, si roje të një bote që po humbiste pak nga pak. Kur ra nata, ndezëm zjarr pranë stanit.

Qielli ishte plot yje.

M’u kujtua koha kur flinim në oborr gjatë verës dhe numëronim yjet derisa na zinte gjumi. Atëherë mendonim se jeta do të mbetej gjithmonë aty: me zëra familjarë, me sofrën plot, me nënën që thërriste nga dera.

Por vitet ikin tinëzisht.

Disa njerëz plaken.
Disa largohen.
Disa mbesin vetëm fotografi në mur.

Pranë zjarrit, bariu tha me zë të rëndë:

— Janë shtuar ujqërit.

Nuk pyeta për cilët ujqër e kishte fjalën. Në këtë kohë, ujqërit nuk ecin vetëm maleve.

Kur u ktheva në qytet, trokita në shumë dyer të vjetra. Disa oborre ishin bosh. Disa shtëpi të mbyllura. Në disa porta mungonin zërat që dikur mbushnin lagjen.

Në një bahçe pashë një plakë që ujiste lulet.

— Kë po pret? — e pyeta.

Ajo buzëqeshi me mall.

— Ata që kanë ikur… gjithmonë kthehen një ditë.

Aty mezi mbajta lotët.

Më vonë takova Komandant Saliun në një kafene të heshtur. Flokët i ishin zbardhur, por zëri i mbante ende plagët gjallë. Pimë kafe ngadalë, si njerëzit që kanë shumë kujtime e pak fjalë.

Ai më tregoi për shokët që nuk u kthyen kurrë. Për Gjergjin e plagosur. Për netët e luftës. Për heshtjen pas krismave.

Dhe unë mendoja sa e çuditshme është jeta:
dikur ishim fëmijë që vraponim pas topit,
pastaj u bëmë burra që mbanim mbi shpinë mungesa.

Një natë dëgjova lahutën dhe çiftelinë në një dasmë. Tingujt më hynë thellë në shpirt. Pashë djem e vajza duke vallëzuar nën flamurin kuqezi dhe mendova sa shumë kishte duruar ky popull vetëm për ta ruajtur një këngë, një emër, një kujtim.

Në atë çast e ndjeva veten edhe të ri, edhe plak.

I ri nga malli.
Plak nga koha.

Natën e fundit dola vetëm nëpër Pejë. Qyteti flinte qetë. Dritat pasqyroheshin në rrugët e lagura dhe dukej sikur edhe vetë kujtimet kishin zbritur për shëtitje.

Ngrita kokën kah qielli dhe pëshpërita:

“Evropa është larg… shumë larg.”

Sepse njeriu mund të jetojë kudo, mund të mësojë gjuhë të huaja, mund të ndërtojë jetë të reja… por zemra gjithmonë e ruan një vend ku mbetet fëmijë.

E për mua, ai vend ishte Peja.

Dhe ndërsa ecja ngadalë nëpër natë, ndjeva se gjithë jeta ime po ecte pranë meje:
babai me duar të ashpra,
nëna me zërin e butë,
shokët e humbur,
rrugët e dikurshme,
era e flisë,
krisma e druve dimrit,
zërat që nuk dëgjohen më.

Atë natë nuk desha të flija.

Kisha frikë se mos zgjohem përsëri larg....

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat