Iu rrëzua punëtori nga kati i 4-të i objektit, pronari i kompanisë në Gjakovë pranon se s’pati masa sigurie

Lajme

Iu rrëzua punëtori nga kati i 4-të i objektit, pronari i kompanisë në Gjakovë pranon se s’pati masa sigurie

Më: 15 prill 2021 Në ora: 14:18
Foto ilustrim

I akuzuari për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, Naser Nreca, është deklaruar fajtor në seancën fillestare të mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Kastriot Memaj, i akuzuari Nreca deklaroi se e pranon fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet, duke shtuar se i vjen keq për rastin e ndodhur dhe se gjatë kohës së mjekimit të të dëmtuarit është përpjekur që t’ia mbulojë të gjitha shpenzimet mjekësore.

Prokurori Memaj nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, duke i propozuar gjykatës që ta aprovojë këtë pranim të fajësisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, i dëmtuari Avni Lala deklaroi se nuk i bashkëngjitet ndjekës penale dhe që as nuk kërkon kompensim dëmi, duke shtuar se i akuzuari prej ndodhjes së rastit e deri sot e ka mbështetur atë materialisht.

Pas kësaj, gjykatësja Ilirjana Hoti e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, derisa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar që të bëhet më 16 prill 2021.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Naser Nreca po akuzohet se më 2 prill 2020, rreth orës 9:30, në rrugën “Bardhyl Qaushi” në Gjakovë, në cilësi të pronarit të firmës “Naser Nreca” B.I, rrezikon jetën e të dëmtuarit Avni Lala.

Siç përshkruhet në aktakuzë, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që duke vepruar nga pakujdesia nuk ndërmerr masa për siguri dhe shëndet në punë, sipas nenit 6 të Ligjit për siguri dhe shëndet në punë, nuk instalon pajisjet mbrojtëse në vendin e punës, respektivisht  përdorimin e strukturave mbrojtëse, në nivel të punës në lartësi-përdorimi i skeleve mbrojtëse, të përcaktuara sipas nenit 8 paragrafi 2.2.2 shtojca 4 e Udhëzimit Administrativ 06/2017, me ç’rast i dëmtuari derisa ka qenë duke punuar, respektivisht duke bartur me karrocë mbetjet e ndërtimit në katin e katërt, ku në një moment rrëshqet së bashku me karrocë dhe bie në tokë nga një lartësi prej 12 metra, duke pësuar lëndime të rënda trupore të përshkruara si në ekspertizën mjekoligjore.

Me këtë, Nreca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” nga neni 358, paragrafi 5/3 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat