“Këto vrasje nuk i ka bërë UÇK-ja”/Liri Loshi ka një porosi për dëshmitarët dhe të pandehurit në Speciale

Lajme

“Këto vrasje nuk i ka bërë UÇK-ja”/Liri Loshi ka një porosi për dëshmitarët dhe të pandehurit në Speciale

Nga: M.L. Më: 17 shtator 2021 Në ora: 17:15
Liri Loshi gjatë dëshmisè kundër kriminelit Millosheviç në Hagë

Ish mjeku i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe anëtari i VV-së, Liri Loshi komentoi sot fillimin e gjykimit për të pandehurit në institucionin e “Dhomave të Specializuara” në Hagë.

Në një postim në facebook, Loshi tha se Specialja po i akuzon të pandehurit për vrasje puro politike të shqiptarëve, por sipas tij ato vrasje nuk i ka kryer UÇK-ja.

“Gjykata Speciale e nisi gjykimin e të pandehurve për vrasjen e shqiptarëve nga shqiptarët, apo për vrasjet puro politike mes shqiptarëve. Këto vrasje nuk i ka bërë UÇK-ja, por individët. Disa nga këto vrasje pretendohet të jenë kryer gjatë lufte e më shumë të tjera pas lufte”, shkroi Loshi në Facebook.

Sipas tij, në vijën komanduese të UÇK-së, asnjëherë nuk ka pasur një urdhër për vrasjen e njerëzve.

“Ka pasur urdhra vetëm kundër agresorit serb, pra urdhra për mbrojtje nga pushtuesi. Prandaj, kushdo që të ketë devijuar objektivin e qartë të UÇK-së, nuk mund të fshihet pas UÇK-së! Pra, as ata që eventualisht kanë vrarë njerëz të pafajshëm dhe as ata që prapa shpinës së UÇK-së mund të kenë krijuar linja të veçanta komandimi!”, potencoi ai.

Kështu, sipas Loshit, Gjykata Speciale nuk po e gjykon UÇK-në, por po gjykon individët që pretendohet se në emër të UÇK-së kanë bërë krime.

“Në Hagë nuk po gjykohet UÇK-ja, por po kërkohet e vërteta që iu intereson të gjithve, me përjashtim të kriminelëve. Pa u gjetur e vërteta nuk mund të ndahet drejtësia”, shtoi ai.

Megjithatë, ai tha se nuk duhet ngutur me përfundime të parakohshme ndaj të akuzuarve.

“Askush nuk është fajtor pa u provuar faji në gjykatë. Për këtë arsye është moral dhe etikë e lartë njerëzore e dëshmitarëve me deshmu të vërtetën dhe e të akuzuarve me e pranu atë. TË VËRTETËN DHE VETËM TË VËRTETËN. Njeriu që jeton për të vërtetën, ia vlen edhe të vdes për të vërtetën. Burgu nuk është vdekje. Është purgator i botës reale për t’i pastruar mëkatet e jetës. Vdekje për së gjalli është me e bartë mbi supe peshën e krimit”, përfundoi Loshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat